Dy boksierët e ekipit të Vllaznisë, Kristian Shytani dhe Arjon Kajoshi, të shoqëruar edhe nga trajneri Jozef Sermi, dhe bashkë me ta edhe tiranasi Merkohasanaj, sot janë nisur drejt Bosnjës për të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar dyditor që zhvillohet në Sarajevë. Në këtë turne përveç këtyre dy boksierëve tanë marrin pjesë edhe sportistë nga Gjermania, Turqia, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja.

Ky është edicioni i 13-të i këtij turneu që zhvillohet çdo vit dhe niveli i tij ka ardhur duke u rritur. Merkohasanaj do të konkurrojë në peshën 64 kg, Shytani do të konkurrojë në peshën 75 kg ndërsa Kajoshi në 81 kg dhe të tre sportistët kanë pretendimet e tyre për të zënë vende të para në peshat respektive.Këtë gjë e ka deklaruar për shkodrasport.com edhe vetë  Shytani kur ka deklaruar: “Kemi kohë që përgatitemi dhe forma jonë është e mirë. Pak problem për ne ka qenë mungesa e aktiviteteve gjatë kësaj periudhe sepse që nga prilli kur kemi zhvilluar Memorialin në Shkodër, nuk ka patur ndeshje të tjera. Megjithatë besoj se në Sarajevë do të përfaqësohemi denjësisht dhe do të synojmë vende të para. Pjesmarrja në këtë aktivitet do të na ndihmojë shumë edhe për kampionatin kombëtar sepse sportisti ka nevojë për ndeshje sa më shumë. Dëshira ime është të sjellë medaljen e arit në Shqipëri nga ky aktivitet”. Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen ditën e shtunë ndërsa të dielën janë finalet megjithatë konkurrenca pritet të jetë e fortë sepse Kroacia, Serbia e Gjermania kanë sportistë të mirë, pa lënë mënjanë këtu edhe Slloveninë dhe ndonjë shtet tjetër pjesmarrës.
Gjergj KOLA