Mund të duket e çuditshme por është e vërtetë. Ekipi i boksit të Tiranës përgatitjet për kampionatin kombëtar që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Shkodër, ka zgjedhur t’i bëjë pikërisht në këtë qytet. Nuk dihet arsyeja pse trajneri Bushati ka vepruar kështu, ndoshta për t’iu përshtatur ambjentit apo dhe ndonjë arsye tjetër por e vërteta është se ekipi kryeqytetas ka zgjedhur pikën turistike të Shirokës për t’u përgatitur.

Ekipi i Vllaznisë, rivali kryesor i kampionëve në fuqi, ndërkohë ka shkuar 2 km më tutje, në pikën turistike të Zogajt, për t’u bërë gati për kampionat. Trajneri i ekipit shkodran Zef Gjoni e quan disi të çuditshme zgjedhjen e ekipit kundërshtar megjithatë nuk shqetësohet shumë nga kjo gjë por për shkodrasport.coml do të shprehej:”Jemi duke u përgatitur seriozisht për kampionatin kombëtar. Kushtet në të cilat po stërvitemi janë të mrekullueshme dhe për këtë duhet të falenderoj pronarin e resortit ku jemi akomoduar, Naim Kullollin i cili është munduar që të mos na mungojë gjë. Sportistët po e presin me shumë dëshirë kampionatin sepse duan që ne të fitojmë titullin e 20-të kampion. Natyrisht që duhet t’i bëjmë mirë llogaritë sepse edhe rivali jonë kryesor- Tirana, po përgatitet këtu afër nesh dhe kuptohet që këtë e bën për të na motivuar edhe më shumë. Nëse vitin e kaluar na e vodhën titullin kampion, kjo nuk ka për të ndodhur sivjet. Vetë presidenti i Federatës Kalivopuli ka premtuar drejtësi në gjykim dhe kjo është ajo që ne duam”. Vllaznia pritet të marrë pjesë me një përbërje të plotë në kampionatin që pritet të zhvillohet në datat 22-25 tetor në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër.
www.shkodrasport.com