Barazim 1-1 për Vllazninë në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Pogradecit. Ndeshja është luajtur në Pogradec dhe është shoqëruar sërish me probleme për Vllazninë me gjyqtarët. Edhe në takimin e sotëm, ndonëse jo dhe aq i rëndësishëm, ekipi shkodran nuk e ka mbyllur lojën me 11 futbollistë. Madje as me 10 por me 9 të tillë. Kjo pasi gjyqtari i ndeshjes ka nxjerrë me kartona të kuq dy futbollistët e rinj, Gurishta e Krymi në pjesën e dytë të ndeshjes.

Sikur të mos mjaftonin këto, kuqebluve u është anulluar edhe një gol që sipas pretendimit të tyre ka qenë mëse i rregullt. Paraguajani Santiago Martinez ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë në një moment në fund të pjesës së parë dhe nga ana e futbollistëve vendas nuk ka patur asnjë reagim por nuk kanë menduar kështu gjyqtarët që e kanë anulluar atë për pozicion jashtë loje. Vllaznia ka shënuar e para që në minutën e 18-të me anë të libanezit Kdouh ndërsa më pas ajo ka kontrolluar lojën e rezultatin. Por e mbetur fillimisht me një fillimisht më pak në fushë, natyrisht që Vllaznia i dha epërsinë e duhur Pogradecit për të shënuar e barazuar me anë të Çekiçit në minutën e 82-të ndërkohë që gjithçka ka mbetur e hapur për takimin e kthimit pas dy javësh në Shkodër për të përcaktuar skuadrën që do të kalojë në turin tjetër. Pogradecarët natyrisht që do të tentojnë të bëjnë ndonjë suprizë të këndshme megjithatë duhet parë sesi do të reagojë Vllaznia e cila natyrisht që nuk është e kënaqur me një situatë të tillë që po kalon dhe për më tepër me ndëshkimet e njëpasnjëshme të gjyqtarëve.

© shkodrasport.com