Kastrioti mposhti Vllazninë me rezultatin e ngushtë 1-0, falë një goli të shënuar në minutën e 65-të. Autor i atij goli ishte një ish-futbollist kuqeblu, pikërisht sulmuesi Silvio Zogaj, i cili ka dalë nga Akademia e Vllaznisë dhe ka luajtur edhe me ekipin e parë shkodran.
Ai u hodh në fushën e lojës si zëvendësues nga trajneri Ardian Mema dhe në të parin kontakt që kishte me topin, ish-futbollisti i Vllaznisë shënoi për skuadrën e Kastriotit. Poashtu, vlen për t’u theksuar se në momentin e shënimit të golit nga Zogaj, sulmuesi anësor nuk festoi si zakonisht në shenjë rrespekti për vitet që ka luajtur me Vllazninë dhe Akademinë e saj.
Në intervistën e tij pas ndeshjes për “OverSport”, ai u shpreh i lumtur që goli i tij i parë në kampionat i dhuroi tre pikët ekipit krutan. Poashtu, Zogaj theksoi se ndaj Vllaznisë ishte një fitore karakteri, teksa shton se ai ndaj kuqebluve ruan shumë rrespekt, pasi ka kaluar vite të bukura aty.
“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe për golin, pasi është goli im i parë në kampionat. Më vjen mirë që goli im shërben për tre pikët, sidomos në momentin e vështirë që ishim. Besoj se ishte një fitore karakteri.
Nuk kam një objektiv përsa i përket golave, pasi nuk kam qenë mirë para porte, por shpresoj të bëj më të mirën në fushë për të ndihmuar ekipin dhe pas këtij goli të vijnë edhe më shumë të tjerë.
Kënaqësia janë tre pikët, pasi ne na duhej fitorja. Kënaqësia është e madhe kur fiton ndaj çdo ekipi. Për Vllazninë kam shumë rrespekt, sepse kam kaluar vite të bukura aty. I uroj suksese ndeshjet e ardhshme”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Kastriotit, Silvio Zogaj.
Maringlen ZHIVANI