Njeriu që ka shënuar pafundësisht gola për Vllazninë e që tashmë është në postin e zëvendëstrajnerit të saj, pikërisht Vioresin Sinani, është i bindur se ndeshja e fundit ndaj skuadrës kurbinase nuk duhej të ishte humbur. Duke folur në lidhje me këtë takim, ai ka thënë: “Krijuam dy raste të pastra që duhej të ishin konkretizuar por kjo nuk ndodhi. Në kushte të tilla, Laçi përfitoi duke rritur lojën e tij dhe për rrjedhojë shënoi dhe na mundi. Mendoj se ishte një ndeshje që nuk duhej ta kishim humbur për mënyrën si nisi por kur nuk shënon, sigurisht që do ta pësosh”. Vllaznia me këtë humbje është larguar disi nga pretendimet e saj për një vend që do ta çonte në Kupat e Europës megjithatë Sinani mendon se duhet luftuar deri në fund e për këtë do të thoshte: “Natyrisht që shanset tona janë zvogëluar sepse ekipet e tjera pretendente kanë fituar dhe distanca është thelluar por kjo nuk do të thotë se do të heqim dorë kollaj. Ne do të luftojmë deri në fund duke pritur edhe ndonjë hap të gabuar të kundërshtarëve tanë në mënyrë që të sigurojmë objektivin që kemi”.