Në gusht të vitit të kaluar ai ka qenë vërtetë I emocionuar. Stadiumi “Loro Boriçi” I mbushur plot me tifozë, ngrihej I gjithi në këmbë për ta përshëndetur atë pikërisht në ceremoninë zyrtare të lënies së futbollit. E kemi fjalën për Vioresin Sinanin, golashënuesin më të mirë në gjithë historinë e klubit Vllaznia. Që prej atij momenti ndërkohë ka patur një funksion tjetër në skuadër, jo më të shënojë gola por të drejtojë në pankinë. Fillimisht me Duron dhe më pas me Bushatin, ai mbi të gjitha ka ndjerë një vështirësi: atë të mosshënimit të golave nga sulmuesit e skuadrës. Ndihej keq dhe mbase në momente të veçanta ka dashur të futej vetë në fushë por… Historia e Sinanit futbollist tashmë ka marrë fund. Në një intervistë ekskluzive për gazeta ish- numri 9 I kuqebluve rrëfen sezonin e fundit, vështirësitë dhe problematikën që është hasur. Ja intervista e plotë e tij:
-Viori, është mbyllur një tjetër sezon futbollistik për ju. Këtë herë pranë Vllaznisë jo më në fushë, por në pankinë si zëvendëstrajner. Si ka qenë ky sezon për ju?
-Sigurisht që në fillim nuk e pata të lehtë sepse prej 15 vitesh kisha qenë rregullisht në fushë si lojtar megjithatë erdha duke u mësuar. Në pozitën e zëvendëstrajnerit, më duhet të them se nuk ka qenë një sezon krejt I qetë nisur edhe nga problematika që në shoqëroi.
-E keni lënë zyrtarisht futbollin në ndeshjen e parë të kampionatit, atë me Skënderbeun. Nisur edhe nga humbja në këtë ndeshje, duket se Vllaznia nuk ishte mësuar pa ju në fushë prandaj dhe nuk pati ecuri të mirë?
-Nuk dua ta them këtë. Vërtetë erdhi momenti që unë të lë futbollin por nga ana tjetër duhet pranuar se s’ka më lojtarë që shënojnë nga 20- 25 gola në një sezon dhe kjo tashmë është e qartë, jo vetëm tek Vllaznia por edhe në skuadrat e tjera të kampionatit shqiptar. Unë personalisht jam krenar për ato gola që kam shënuar dhe sigurisht që ndjehem mirë kur jam shënuesi më I mirë në historinë e këtij klubi.
-Meqë dolët tek sulmi, vetëm 30 gola të shënuar nga I gjithë ekipi I Vllaznisë në këtë kampionat të fundit, kur ju vite më parë, në një kampionat të vetëm patët shënuar 36. Ç’do të thotë kjo?
-Më duhet ta pranoj se sulmi I skuadrës tonë nuk ka qenë në lartësinë e duhur gjatë këtij kampionati dhe numri I pakët I golave të shënuar, e tregon më së miri këtë. Duke mos shënuar, skuadra sigurisht që ka hasur në problemet e veta dhe kjo ka bërë që t’I mungojnë edhe pikët në renditje. Sa për 36 golat e shënuar nga unë në atë sezon, sigurisht që është një rekord që vështirë se do thyhet edhe për disa vite. E përsëris, jam krenar për atë çfarë kam arritur me këtë skuadër.
-Shënuesi më I mirë I Vllaznisë ndërkohë në kampionatin e fundit ka qenë një mbrojtës, Smajli me 7 gola. Si e shpjegoni këtë gjë?
-Kjo e ka shpjegimin brenda. Ne kemi patur në skuadër sulmues punëtor por jo lojtarë- goli. Ata janë munduar mjaft t’I shërbejnë skuadrës, kanë djersitur jo pak por aftësitë e tyre nuk kanë qenë të tilla për të shënuar shumë gola. Prandaj dhe shënuesi më I mirë ka qenë Smajli me 7 gola ndërsa të tjerët kanë shënuar nga 5.
-Si  e shpjegoni këtë, Shkodra, qyteti që ka nxjerrë vazhdimisht sulmues të shkëlqyer, të mbesë pa një të tillë aktualisht?
-Shkodra ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë sulmues të mirë por ata aktualisht janë jashtë Shqipërisë. Jo çdo vit mund të dalin sulmues të një niveli të lartë megjithatë Vllaznia për fat, gjithë këto vitet e fundit ka patur sulmues të tillë e kjo tregon për nivelin që ka kjo skuadër dhe atë se çfarë prodhon ky qytet.
-A ka të rinj të talentuar që mund të evidentohen shpejt si sulmues- goli?
-Lojtarë me të dhëna të mira ka por atyre u duhet të punojnë shumë. Ndonjërit I është dhënë mundësia por nuk ka treguar ato vlera që priteshin prej tij. Ndërkohë, do shohim edhe nga ekipi I të rinjve. Aty është një sulmues I ri- Idrizi që ka aftësi të mira nuhatëse të portës dhe mendoj se do shihet dhe do trajtohet me kujdes për të parë se çfarë është në gjendje të bëjë.
-Dhe çfarë shpresoni për të ardhmen e sulmit shkodran?
-Unë shpresoj që të mos përsëritet më sezoni që sapo u mbyll pa sulmuesa cilësorë. Nëse nuk ke sulm sigurisht që nuk mund të dalësh I fituar dhe nga kjo besoj se do bëhet diçka më e mirë në përzgjedhjen e lojtarëve të këtij reparti.
-A mund të dimë se cili është opinioni juaj për paraqitjen e Vllaznisë në sezonin e fundit?
-Mendimi im? Kaq ishin mundësitë reale të kësaj skuadre. Ndonëse në fazën e dytë bëmë më të mirën e mundshme për të rikuperuar disa gjëra, sërish nuk ia dolëm të shkojmë më shumë sesa vendi I gjashtë në renditje. Më vjen keq sepse kemi fituar ndaj tre skuadrave të vendit të parë, Skënerbeut, Kukësit dhe Teutës, por jemi mundur nga skuadrat që kanë rënë nga kategoria.
-Pse ndodhi kështu sepse në fakt në verë, kjo skuadër u nis me shumë bujë për të qenë ekip pretendent?
-Mund të ketë qenë ashtu në fillim por vazhdimësia e sezonit tregoi të kundërtën. Them se kapaciteti I shumë lojtarëve që kishim në skuadër, kaq ishte. Me to nuk mund të shpresonim më shumë.
-Pra ju po thoni se vendi I gjashtë që arriti skuadra, ka qenë më ideali për atë se çfarë ajo ka dhënë në fushë?
-Po, ka qenë vendi I duhur. Ekipet që janë renditur më lart, kanë treguar më shumë stabilitet në lojërat e tyre dhe mbase kanë patur edhe përbërje më të mira lojtaërësh në dispozicion.
Së fundi Sinani, çfarë mund të presim nga Vllaznia e sezonit të ardhshëm?
-Unë kam postin e zëvendëstrajnerit tek kjo skuadër dhe natyrshëm që nuk mund të jap një mendim se çfarë mund të presim pasi janë drejtuesit e klubit ata që vendosin për këtë gjë. Megjithatë si pjestar I kësaj skuadre por edhe si tifoz I zjarrtë I saj sigurisht që shpresojmë shumë për një të ardhme më të mirë dhe për një Vllazni pretendente.
Gjergj KOLA

 

“9”-ta e Sinanit, fanella që I mungoi Vllaznisë sivjet

Në sezonin e fundit, tek Vllaznia ka munguar një fanellë, pikërisht ajo me numrin 9. Arsyeja ka qenë e thjeshtë: drejtuesit e klubit, në shenjë respekti për karrierën e tij sportive, kishin vendosur ta heqin këtë numër nga qarkullimi. Fillimisht u mendua se numri 9 do hiqej përgjithnjë nga qarkullimi ashtu siç ka ndodhur edhe në disa klube të tjera të njohura të Europës megjithatë, ajo që merret vesh është se numri 9 do kthehet sërish në skuadër duke nisur nga sezoni I ri. Që do të thotë se kjo fanellë nuk është veshur nga asnjë futbollist tjetër vetëm për një sezon. Gjithsesi ky është një vlerësim dhe një respekt që I bëhet kësaj figure të shquar të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, golashënuesit më të mirë në historinë e klubit shkodran dhe një prej më të mirë të gjithë historisë së kampionateve shqiptare.

“Mister 207 golëshi”, shënuesi më I mirë në futbollin shqiptar

Vllaznisë dhe kampionatit shqiptar në fakt në sezonin e fundit I kanë munguar shumë gjëra, por mbi të gjitha edhe një golashënues si Vioresin Sinani, që ka qenë ndër krenaritë e tyre në 20 vitet e fundit.  “Ujku” siç e kanë thërritur tifozët kuqeblu, do mbahet mend për 207 golat e shënuar në kampionate me fanellat e Vllaznisë, Tiranës dhe Besës (në fakt dikush thotë se janë 208 por në fakt nuk është kështu). Me kaq gola, ai ka gjasa të ketë kaluar edhe të madhin Refik Resmja i cili deri pak kohë mëparë është konsideruar si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të futbollit shqiptar por Sinani i ka kaluar këto shifra. Ka shënuar edhe 46 gola në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe 2 gola në Kupat e Europës me Vllazninë. Me 255 gola në total, “ujku” do mbetet gjatë në histori.