Për të nuk ka qenë një sezon I mirë, ashtu si dhe për Vllazninë. Në kushte të tilla ka vendosur që të largohet prej saj dhe për këtë arsye, është vënë në kërkim të një skuadre tjetër. Bëhet fjalë për Ndriçim Shtubinën, mesfushorin kuqeblu I cili e ka shprehur hapur dëshirën e tij për të mos rinovuar me këtë skuadër. Duke folur për gazetën, 26 vjeçari shkodran ka bërë të ditur njëkohësisht se kontrata e tij me Vllazninë I ka përfunduar katër ditë më parë. “Mund të konfirmoj faktin se prej datës 20 maj nuk jam më futbollist I Vllaznisë. Kontrata ekzistuese që kam patur, më ka përfunduar me këtë datë dhe prandaj tashmë jam futbollist I lirë. Në kushte të tilla, kam nisur bisedimet me 2-3 skuadra të tjera të kampionatit shqiptar dhe besoj se me njërën prej tyre do mbyll gjithçka Brenda një jave apo 10 ditësh”- ka thënë ai për gazetën.

Ajo që të bën përshtypje është se Shtubina është një tjetër futbollist nga ai I kontigjentit të vjetshëm që mund  të largohet nga Vllaznia. Edhe për të, pavarësisht se sezoni që sapo u mbyll nuk ka qenë më I miri I tij, nuk ekziston vëmendja e duhur e drejtuesve të klubit. Këtë gjë ai e ka bërë të ditur edhe vetë Shtubina kur do deklaronte: “Duke qenë se kontrata ime ishte drejt fundit të saj, natyrisht që kam patur dëshirë të kontaktoj me drejtuesit e Vllaznisë fillimisht për të parë se cilët janë planet e tyre. Unë personalisht nuk kam takuar asnjë nga drejtuesit por ka qenë një nga familjarët e mi që ka bërë një bisedë me ta megjithatë pa dalë në një përfundim të qartë. Që do të thotë se nuk ka asnjë ofertë konkrete dhe asnjë bisedë konkrete deri në këto momente dhe në kushte të tilla, unë sigurisht që kam hedhur sytë nga ofertat e tjera dhe po shoh me kujdes se cila është më e mira e mundshme për mua”. E thotë edhe ai dhe sigurisht që çdo ditë e më tepër vërtetohet ajo se Vllaznia është disi e vonuar me merkaton. Kur kanë filluar përpjekjet për të ofruar lojtarë, po largohen të tjerë prej saj. Vetë Shtubina duket se është disi I pezmatuar që do detyrohet të marrë sërish rrugët megjithatë e pranon se nëse e thërrasin për të biseduar, do ulet t’I dëgjojë, paçka se çfarë do vendosë. “E thashë edhe më lart se nuk kam asnjë bisedë konkrete për rinovim me Vllazninë. Nëse drejtuesit e saj vendosin që të më thërrasin për të biseduar gjatë këtyre ditëve që unë jam pa firmosur me ndonjë skuadër tjetër, sigurisht që do ulem e të bisedoj me ta megjithatë të them të drejtën, e shoh veten më larg sesa më afër Vllazninë për sezonin e ardhshëm dhe ndoshta jo me dëshirën time”- vazhdon më tej prononcimin e tij Shtubina. Ndërkohë sezoni që kemi lënë pas në fakt nuk ka qenë më I miri për të dhe duket se ecuria e tij ka ecur paralel me atë të Vllaznisë. E pranon edhe vetë kur në fund të prononcimit të tij do thoshte: “E pranoj se nuk ka qenë sezoni im më I mirë. Në fillim pata pak problem kapjen e formës fizike dhe kur erdha aty ku duhet dhe po luaja rregullisht, u dëmtova në ndeshjet e fundit të fazës së parë, çka ndikoi jo pak në formën time. Megjithatë duket se gjërat shkuan bashkë, si për mua ashtu edhe për Vllazninë në këtë sezon sepse edhe ajo nuk arriti objektivat e veta”. Në këtë mënyrë, pas Smajlit që tashmë ka firmosur me Flamurtarin, Shtubina mund të quhet futbollisti I dytë I larguar zyrtarisht nga Vllaznia. Në ditët e ardhshme mund të ketë edhe lëvizje të tjera, ashtu siç mund të ketë edhe afrime. Kjo tregon se skuadra e sezonit të ardhshëm do jetë krejt ndryshe në krahasim me skuadrën që mbylli këtë sezon.
Gjergj KOLA