Situatë e pazakontë tek Erzeni. Lojtarë që vijnë me bujë, por më pas largohen. “Panorama Sport” mëson se të njëjtin fat kanë pasur edhe dy afrime të kësaj merkatoje verore, si shumë të tjerë. Bëhet fjalë për mbrojtësin Drilon Kryeziu, që vinte pas aktivizimit te Rudar Velenje në Slloveni, si dhe mesfushorin Amir Kahrimanoviç, i cili ka qenë pjesë e Renovës në sezonin e fundit.

Ata nuk janë parë të dalin më në stërvitje, ndërkohë që Erzeni ka nisur zyrtarisht fazën përgatitore. Shumë lojtarë që vijnë të provohen nuk po gjejnë akord me drejtuesit. Dilema është nëse ata nuk bindin apo sepse mungojnë financat?

Kjo mbetët për t’u parë në vazhdim, në një kohë që tifozët shijakas presin që ekipi të kompletohet, por koha nuk është aspak në favor, për më tepër që kampionati nis më 20 gusht dhe Erzeni luan ndeshjen e parë me Vllazninë.

Në seancat e fundit stërvitore, krahas grupit që ka ditë që është nën urdhrat e Kapllanit, shikohen vetëm afrime nga ekipet U-17 dhe U-19. Gjithsesi, drejtuesit mësohet se janë afër marrëveshjes me 3 lojtarë me eksperiencë, pikërisht në sulm dhe mesfushë.

Deri më tani afrime mund të quhen emra si Dashamir Xhika, Gëzim Krasniqi, Klevis Hasanbelli, Ardit Peposhi, Fernando Armando dos Santos, Adnard Mehmeti, Enbija Shehu, Progon Maloku, Elis Doksani dhe Abjel Bejzade.