Ndeshja më e rëndësishme e javës së parë të fazës së dytë të kampionatit, ajo në mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, nuk do të luhet ditën e shtunë ashtu siç ishte deklaruar fillimisht, por 24 orë më herët. Vendimi është marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe në këtë mënyrë janë lajmëruar edhe klubet për këtë ndryshim. Në fakt kishte disa kohë që nuk zhvilloheshin më ndeshje ditët e premte dhe të hëna por tashmë kjo praktikë rikthehet, ndonëse ndoshta vetëm për këtë ndeshje. Do luhet në dritën e projektorëve, në orën 17.00 dhe në stadiumin e Korçës pritet të jetë një festë e vërtetë.

Ajo çfarë mund të ndodhë është se në këtë ndeshje, mund të ketë edhe një grup tifozësh nga Shkodra. Presidenti Çela ka premtuar sigurimin e një autobuzi për tifozët në mënyrë që ata t’i qëndrojnë pranë skuadrës. Kuptohet që favorit për ta fituar këtë ndeshje është Skënderbeu që kryeson me meritë kampionatin por megjithatë, në kampin shkodran ka optimizëm. Ndryshimet e fundit në pankinë por edhe në krye të klubit, kanë sjellë atmosferë tjetër tek Vllaznia prandaj dhe ka besim për të paktën një pikë në këtë takim.
www.shkodrasport.com