Mirdita braktisë kampionatin në javën e 12-të. Ditën e sotme ishte programuar që të luhej sfida ndaj Adës për javën e 12-të të Kategorisë së Dytë, por klubi i Mirditës ka vendosur të mos pjesë në këtë ndeshje, madje kanë vendosur që të largohen përfundimisht nga ky sezon.

Problemet e shumta financiare kanë detyruar Mirditën që të ndërpresë në mes kampionatin. Lajmi konfirmohet nga vet klubi në faqen zyrtare në rrjetet sociale.

Postimi i Mirditës:

Kolapsi që ka përfshirë vëndin prej një viti bëri që ekipi ynë të japë dorëheqjen nga pjesëmarrja në kategorinë e dytë.

Për arsye financiare ekipi nuk do marrë pjesë më në ndeshjet në vijim. Në kalendar kishim Adën e Velipojës ku ndeshja do zhvillohej në Shënkoll.

5 ndeshjet e mbetura si ekip pritës kushtonin diku tek 1 milionë lekë të vjetra. Të vjen keq më shumë për tifozët dhe njerzit që ndoqën ekipin që nga fillimi e deri më sot.

Një falenderim për ata që kontribuan në ndërtimin e ekipit, dhe për ata që ishin në fushën e lojës. Të vjen shumë keq që ekipi të shkrihet në këtë moment.

Shpresojmë që kohë të mira do të vijnë së shpejti dhe për këtë jemi të sigurtë, sepse ka njerëz që e duan vërtetë futbollin, dhe kontribuojnë me shpirt përveç anës financiare.

Kontribuesin e kishim në dorë dhe nuk ditëm t’a mbanim! Dhe njëherë faleminderit për të gjithë ata që morën pjesë gjatë këtyre viteve nën stemën e KF Mirdita!