Korabi u ka dhënë fund përgatitjeve në kompleksin “Internacional” dhe sot do të marrë rrugën drejt Peshkopisë. Skuadra do të kryejë edhe një seancë në stadium, për t’u përshtatur me terrenin para se të luhet java e 11-të.

Dibranët do të ndeshen të dielën me Veleçikun dhe synimi është i qartë: fitorja. Për shkak të kushteve të rënduara klimaterike që mbërthyen territorin shqiptar një javë më parë, ky takim nuk u zhvillua.

Gjithsesi, këtë herë nuk rrezikohet. Fusha është pastruar nga bora dhe çdo gjë i është rikthyer normalitetit. Agim Canaj beson se skuadra do ta gjejë rrugën e kthesës.

Trajneri ka mbetur më shumë se i kënaqur nga serioziteti që të tijtë kanë treguar gjatë javës dhe kjo i jep besim: “E kemi vlerësuar kundërshtarin. Çdo ekip hyn në fushë me pretendime.

Ne nuk duhet të gabojmë dhe do të kërkojmë fort të kthehemi te fitorja. U kam kërkuar lojtarëve të futen në fushë vetëm për një rezultat pozitiv. Ky është i vetmi objektiv yni.