Ndërtimi i plotë i stadiumit “Loro Boriçi” sigurisht që ka qenë një lajm i mirë për të gjithë shkodranët dhe më gjerë. Qyteti ku lindi futbolli shqiptar tashmë ka një impiant sportiv modern dhe përveç si mikëpritës i kombëtares shqiptare, ai është edhe “shtëpia” e Vllaznisë. Në fakt, rikthimi i zhvillimit të ndeshjeve të saj në këtë stadium, duket se i ka sjellë fat ekipit kuqeblu.
Mjafton t’u referohesh katër ndeshjeve që ai ka luajtur aty në këtë sezon dhe konstaton lehtësisht se shkodranët nuk e njohin shijen e humbjes. Kanë dy barazime, ndaj skuadrave pretendente për titull siç janë Kukësi e Partizani, si dhe dy fitore ndaj Flamurtarit dhe Korabit. Tempulli i futbollit shkodran në këtë mënyrë duket se po rezulton me fat për kuqeblutë dhe ata dëshirojnë që kjo pathyeshmëri të vazhdojë sa më gjatë. Provat e rradhës për këtë, janë shumë pranë. Duke filluar nga ajo e së dielës me Skënderbeun, pastaj e javës tjetër me Luftëtarin dhe për ta mbyllur këtë vit me sfidën ndaj Tiranës. Trajneri Cungu e ka thënë shpeshherë se skuadra e ka të nevojshme të luajë aty. “Shpresojmë që të jetë edhe më me shans deri në fund të sezonit pasi sfida të tjera shumë të rëndësishme dhe të vështira na presin. Natyrshëm që është shtëpia jonë dhe kuptohet që ajo duhet të jetë aleati ynë i fortë”- ka thënë ai. Por nëse “Loro Boriçi” konsiderohet një mbështetës i fortë për Vllazninë, nuk po rezulton e njëjta gjë me tifozët. Ata për një apo një tjetër arsye, kanë krijuar një “ftohje” me skuadrën dhe kjo po reflektohet edhe tek shkallët e boshatisura të stadiumit. Mbase duke filluar nga ndeshja e rradhës me Skënderbeun, mund të jetë një tjetër situatë sepse edhe ecuria e kuqebluve ka qenë përgjithësisht e mirë këtë sezon.
Ndeshjet e Vllaznisë sivjet në “Loro Boriçi”
Java 1 Vllaznia- Kukësi 0-0
Java 3 Vllaznia- Flamurtari 2-0
Java 11 Vllaznia- Partizani 1-1
Java 13 Vllaznia- Korabi 3-0