Në gjysmën e parë të sezonit 2017-18 një nga problemet kryesore të Vllaznisë përveç mbrojtjes, padyshim që ka qenë sulmi. Si Atsina ashtu edhe Ribaj nuk kanë qenë në lartësinë e duhur ndonëse ishin projektuar për të mbyllur këtë repart. Të dy sëbashku ata kanë shënuar tre gola! Kuqeblutë në 16 javë kampionat kanë arritur të shënojnë vetëm 14 gola. Natyrisht që shumë pak, vetëm 0.88 gola për çdo ndeshje. Kuptohet, që shkodranët gjithmonë janë shquar për lojë sulmuese dhe të shënosh më pak se një gol në ndeshje, është shumë pak.

Por diçka tjetër që konstatohet në statistikat e golave është padyshim numri i pakët i golave të shëuar në pjesën e dytë nga Vllaznia. Vetëm katër! Madje, mbas minutës së 50-të, kuqeblutë kanë shënuar vetëm dy gola. Çfarë tregon kjo? Tregon që skuadra me kalimin e minutave ka shfaqur lodhje dhe më shumë është munduar të mbrojë rezultatin sesa të kërkojë të shënojë. Nëse në pjesët e para gjërat kanë shkuar disi më mirë, teksa janë shënuar 10 gola, këta të pjesës së dytë padyshim që kanë lënë shumë për të dëshiruar. Natyrisht që shpresohet se me ardhjen e Sukajt dhe rritjen e formës së Ribajt, këto shifra kanë për të ndryshuar në gjysmën e dytë të kampionatit.
© shkodrasport.com