Sezoni në Itali është në prag të mbylljes, teksa verdiktet e kreut të tabelës janë vendosur, me Juven që shpallet kampion për herë të 9-të rresht dhe Lacion, Interin e Atalantën, që kualifikohen gjithashtu në Champions League. Në fund ka vend edhe për konkluzione të veçanta, siç është renditja e lojtarëve me më shumë minuta këtë edicion të kampionatit italian.

Ndoshta nuk kishte ndodhur kurrë që një shqiptar të ishte në krye të kësaj liste. Tomas Strakosha është futbollisti më i aktivizuar në Serie A, duke grumbulluar plot 3330 minuta në 37 ndeshje të luajtura. Kreun e kësaj renditje gardiani i kombëtares sonë e ndan me homologun argjentinas të Udinezes, Muso, i cili ka grumbulluar të njëjtat minuta.

Edhe lojtarë të tjerë të Lacios janë në listën e 25 lojtarëve më të aktivizuar, çka tregon vështirësinë e kryeqytetasve për të gjetur alternativa.

Në vendin e 13 renditet Françesko Acerbi (3103 minuta, 35 ndeshje), i 15-ti Imobile (3087 minuta, 36 ndeshje), i 21-ti është Luis Alberto (3032 minuta, 35 ndeshje) dhe i 24-ti renditet Milinkoviç-Saviç (2950 minuta, 36 ndeshje). /vipsport/