Suksesi I arritur në kampionatin kombëtar të të rinjve të zhvilluar dy ditë më parë, ku ai është shpallur atleti më I mirë, pritet të jetë një nxitje më shumë në karrierën e saponisur të atletit 17 vjeçar të Vllaznisë Suad Bashku. Ai është shpallur kampion në dy gara, atë të kërcimit së gjati dhe në trehapësh dhe në intervistën e tij për gazetën, e pranon që këto arritje, do ta nxisin më shumë për të tjera suksese në të ardhmen. “Kampionati i fundit ka qenë shumë i mbarë për mua. Zura dy vende të para dhe në fund u shpalla sportisti më i mirë i aktivitetit. Në fakt, atletikën nuk e kam nisur tek disiplina e kërcimeve por bashkë me trajnerin e pamë të arsyeshme të kalojmë aty dhe besoj se kjo po jep frutet e veta. Megjithatë nuk duhet të kënaqem me kaq. Kam një të ardhme të mirë përpara dhe patjetër që nga gara në garë duhet t’i përmirësoj rezultatet e mia”- ka thënë kampioni Bashku që zuri dy vende të para së fundi, në kërcim së gjati dhe në trehapësh. Atletika shkodrane kësisoj, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat stërviten sportistët, vazhdon të na dhurojë trofe, vazhdon të na dhurojë kampionë dhe kjo duhet vlerësuar në maksimum. Një sport që ka qenë dhe vazhdon të jetë I elitës në klubin Vllaznia.
Gjergj KOLA