Secili vend po bën përpjekjet e tij maksimale në mënyrë që futbollit t’i rikthehen tifozëve. Nëse në Angli, ende vazhdon të luhet me dyer të mbyllura, në Francë, Gjermani dhe Itali, sadopak stadiumet kanë nisur të gjallërohen disi.

Ndërkohë, edhe UEFA nga ana e saj duket se do të japë të hënën “dritën jeshile” që Liga e Kampionëve të luhet me praninë e një numri të caktuar tifozësh teksa numri i tifozëve që mund të ndjekin sfidën do t’i lihet në dorë për t’u vendosur qeverive përkatëse.

UEFA-s i ka pëlqyer mënyra se si u menaxhua finalja e Superkupës së Europës mes Seviljes dhe Bajern Mynih në Budapest ku të pranishëm ishin mbi 15000 tifozë.

Sinjalet pozitive të marra nga ai eksperiment e shtyjnë që edhe për ndeshjet e radhës në Europë, nga ana e saj të lejojë rikthimin e tifozëve. /VipSport/