Për ndeshjen e sotme me Vllazninë, formacioni i Dinamos pritet të jetë pak a shumë ai ndaj Partizanit. Ndryshimet do të jenë të vogla, me rikthimin e Aleksandar Isaevskit në të majtë dhe aktivizimin e Patrik Bardhit nga minuta e parë në vend të Xhuljano Skukës, i cili nuk dha atë që pritej në derbin e fundit.

Edvan Bakaj do të mbrojë sërish portën blu, ndërsa përpara tij do të jenë Siljanovski, Sofranak, Imami dhe Isaevski. Sidibe dhe Demiri do të formojnë dyshen e qendrës së mesfushës, ndërsa kapiteni Ibraimi dhe Mihana do të mbështesin sulmuesin Çinedu në majën e repartit ofensiv.

Një alternativë për trajnerin Shkëmbi është edhe Rimal Haxhiu, që u paraqit shumë mirë në pjesën e dytë të ndeshjes me Partizanin, por ai ka pasur një shqetësim të vogël fizik së fundmi dhe mund ta nisë sërish nga stoli ndaj Vllaznisë.

Vllaznia ka sot një grup të plotë lojtarësh për përballjen ndaj Dinamos. Nisur nga rikthimet e Gurishtës dhe Krymit, të cilët munguan ndaj Skënderbeut, trajneri Brdariç ka vendosur të bëjë 3 ndryshime në formacion nga ndeshja e kaluar.

Pritet që Heriç dhe Gjurgjeviç të ulen në stol, ndërsa në balotazh për një vend janë Kruja dhe Da Silva, me këtë të fundit disi më të avantazhuar për ta nisur nga fillimi.

Me një ekip më të kujdesshëm në fushë dhe jo me 4 lojtarë që kanë tërësisht tipare ofensive, gjermani preferon Krujën titullar.

Mirëpo, kjo mbetet për t’u parë. Sa i përket sulmit, Aralica duket se ka fituar duelin me maqedonasin Gjurgjeviç, i cili luajti titullar ndaj Skënderbeut.

Në seancën e fundit të zhvilluar në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” kreu i pankinës la të kuptohet se do të vazhdojë të besojë te skema 4-2-3-1.