Tek Vllaznia tashmë nuk ka më vend për qetësi. Dy humbjet e fundit kanë trazuar jo pak gjërat dhe tashmë rreziku i rënies nga kategoria është kthyer.

Madje shumëkush, i konsideron të pakta shanset për të mbijetuar. Por në kampin shkodran mendojnë ndryshe.

Drejtuesit e klubit, stafi teknik dhe futbollistët janë të bindur se mund t’ia dalin. Por pavarësisht kësaj, pasditen e sotme është vendosur që të ketë një analizë të zgjeruar të situatës së krijuar ditët e fundit tek Vllaznia.

Ajo do të nisë në orën 19.00 dhe do të zhvillohet në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi”.

Përveç pjestarëve të skuadrës, në të do të jenë të pranishëm edhe drejtuesit e klubit dhe me shumë siguri edhe kryebashkiakja Ademi.

Po ashtu, pritet që të jenë të pranishëm edhe figura të ndryshme të futbollit shkodran të cilat me këshillat e tyre mund të jenë të vlefshëm që Vllaznia të dalë nga situata ku ndodhet. Kjo analizë do të jetë e hapur edhe për mediat.
www.shkodrasport.com