Brazili do të ketë një alternativë më pak në repartin e avancuar për ndeshjen vendimtare në grup kundër Serbisë, ku do të luajë kualifikimin e mëtejshëm në Rusi 2018.

Trajneri Tite kishte hedhur në minutat e fundit kundër Kosta Rikës mesfushorin Duglas Kosta dhe ky i fundit ishte ndër lojtarët më efektivë në fushë.

Por lojtari nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Serbisë e me sa duket, rrezikon seriozisht edhe ecurinë e mëtejshëm në turne.

Lojtari ka pësuar një dëmtim në pjesën e prapme të kofshës së djathtë dhe mjeku i ekipit, Lasmar, ka konfirmuar para mediave se situata është paksa shqetësuese.

“Testet kanë treguar një dëmtim muskulor. Lojtari nuk do të udhëtojë me ekipin për ndeshjen e ardhshme, do të qëndrojë në Soçi për të punuar me qëllimin që të riaftësohet sa më parë”, theksoi ai.

Ky është padyshim një telash për trajnerin Tite para sfidës së fundit, duke llogaritur se ka humbur edhe Danilo në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Sipas mediave braziliane, tarjneri po mendonte ta aktivizonte si titullar futbollistin e Juventusit, por tashmë duhet të bëjë përsëri planet pa të, duke mbajtur Uillian në rreshtim. /vipsport/