Aldo Teqja refuzoi Vllazninë dhe Dinamon vetëm e vetëm për Flamurtarin. I ka mjaftuar një takim me Sinan Idrizin që të thotë “po”.

Nuk e shqetëson aspak fakti që do të luajë në Kategorinë e Parë, pasi e di që në fund të sezonit do të kthehet bashkë me vlonjatët në elitë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, portieri rrëfen se ka bërë zgjedhjen e duhur, por edhe disa detaje nga kontrata e firmosur pak ditë më parë.

Jeni zyrtarisht lojtar i Flamurtarit. Si u bind Aldo që të firmoste kontratën?

Nuk ishte e vështirë që të bindesha. Projekti është aq ambicioz, sa më erdhi natyrshëm që të pranoja dhe ja ku jam. Erdha në Vlorë.


Vetëm projekti?

Një tjetër aspekt, janë edhe kushtet shumë të mira që ka klubi. Zhvillova një takim me presidentin Sinan Idrizi dhe vendosëm. Pas atij takimi nuk u mendova më, por pranova direkt që karrierën time ta zhvilloja këtu. Jam shumë i kënaqur që u bëra pjesë e Flamurtarit dhe kam ardhur në një klub të madh.

Çfarë ju kërkoi Idrizi në takimin që zhvilluat?

Foli shumë thjeshtë dhe qartë, kërkoi që të japim maksimumin të gjithë bashkë dhe ta kthejmë Flamurtarin aty ku i takon. Ishte një takim shumë miqësor ku shkëmbyem idetë tona për bashkëpunimin, por edhe për punën e madhe që na pret në skuadër.

Mediat kanë “vluar” këtë merkato për ju. Keni pasur ofertë edhe nga Vllaznia dhe Dinamo…

Po, është shumë e vërtetë. Vllaznia dhe Dinamo kanë qenë në garë për të marrë shërbimet e mia.


Na tregoni diçka më shumë?

Kam pasur kontakte dhe bisedime, por në fund i thashë “po” Flamurtarit.


Hoqët dorë nga Superiorja për Kategorinë e Parë. Ju bindi diçka e fortë?

Për këtë zgjedhje më bindi, sikundër e thashë, projekti si dhe ato çfarë diskutuam në takimin me presidentin. Pse jo, është edhe si tip stimuli për ta ngjitur Flamurtarin në Superiore. Ka disa vite që është aty poshtë dhe kam ardhur këtu të jap kontributin tim për ta ringjitur këtë skuadër me tradita.


E kishit menduar se një ditë do të ishit pjesë e Flamurtarit?

Në fakt futbollit asnjëherë nuk i dihet. Nesër mund të jem edhe në ndonjë ekip tjetër. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Flamurtari është një klub që ka histori në futbollin shqiptar.

Kontrata juaj është 2- vjeçare?

Kontratën me Flamurtarin e kam firmosur për një vit, por me të drejtë rinovimi për një tjetër sezon.


Superiorja mbetet objektiv i Flamurtari. Mendoni se janë kushtet për t’u ngjitur?

Besoj se po. Janë të gjitha kushtet për ta rikthyer Flamurtarin ku e ka vendin. Edhe me garancinë që dha presidenti Idrizi, që mund të ketë dy apo tri goditje të tjera dhe besoj se ky objektiv do të arrihet.