Ekipi I Tiranës do të vazhdojë rrugën e tij për të fituar Kupën “Pavarësia” sepse ka fituar sot me ekipin Otrant të Ulqinit në ndeshjen kualifikuese të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Bardheblutë ndonëse kishin ardhur me formacionin e tyre të dytë, nuk e kanë patur shumë të vështirë të fitojnë thellësisht 4-0 ndaj ulqinakëve që ishin shumë inferiorë ndaj tyre. Ka spikatur në këtë ndeshje me një tregolësh sulmuesi Arbër Abilaliaj I cili duket se ka dashur t’I tregojë trajnerit Tafaj se e do një vend në formacionin bazë. Në tribunën VIP të stadiumit kanë qenë edhe përfaqësuesit e FSHF-së si organizatore e këtij turneu dhe pikërisht Abdyl Kuriu e Millan Baçi, po ashtu edhe ish-presidenti I Tiranës Refik Halili me administratorin Salih Tagani, drejtues të klubit të Ulqinit etj. Mbi të gjitha rëndësi në këtë ndeshje ka patur qëllimi I organizimit të saj dhe këtë e ka shprehur pas saj edhe vetë trajneri I skuadrës Otrant Safet Kaleziq që është shprehur: “Ne falenderojmë Federatën Shqiptare të Futbollit për ftesën që na ka bërë për të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm. Sigurisht që dëshironim të ishim ne në Vlorë në ndeshjet finale të kupës, edhe për të qenë pjesë e festës së madhe që do organizohet atje, por kuptohet që diferencat me Tiranën ishin të mëdha. Edhe nëse nuk fituam, besoj se një përfaqësi e klubit tonë do të jetë javën e ardhshme në Vlorë për të marrë pjesë në festën e madhe të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo nuk është një festë vetëm e shqiptarëve të Shqipërisë por e gjithë shqiptarëve në mbarë botën ku ndodhen”.

www.shkodrasport.com