Suad Lici, ish-mbrojtësi i Vllaznisë, në daljen e tij në një prej mediave lokale të Shkodrës ka analizuar situatën që po kalon momentalisht kjo skuadër. Ai e ka vënë theksin e kritikave tek afrimet e bëra në merkaton e verës, sidomos në repartin e sulmit. Lici e ka cilësuar të domosdoshëm faktin që shkodranët kanë pasur nevojë për një lojtar tipik goli si kroati Pejiç. “Afrimet që ka bërë Vllaznia natyrisht që nuk kënaqin, sidomos kur bëhet fjalë për sulmin. Në këtë repart kuqeblutë po vuajnë shumë, duke pasur parasysh se dyshja Hysa e Rexha nuk kanë justifikuar aspak. Për mendimin tim, drejtuesit e Vllaznisë do kishin bërë mirë të sakrifikonin duke lënë jashtë disa lojtarë, që të afronin Pejiçin. Tashmë dihen vlerat e tij dhe potenca që ka në sulm. Sot po mungon një lojtar që ta udhëheqë këtë ekip drejt golit. Për më tepër, me afrimin e Pejiçit në sulm mund të ishte fituar edhe ndonjë lojtar i ri në këtë repart. Nuk ka si të fitosh ndonjë lojtar të ri si Guri, Gjini apo dikush tjetër, kur vetë dy sulmuesit kryesorë të ekipit janë tërësisht konfuzë dhe të paqartë në konkludim”, – ka thënë fillimisht Lici.
Loja Ish-mbrojtësi i shkodranëve, Lici, duke vijuar më tej ka analizuar këto 11 javë kampionat, ku i ka mëshuar më tepër mungesës së lojës nga krahët. Megjithatë, sipas tij, në ndeshjet e fundit ekipi ka pasur njëfarë rritjeje në lojë, çka të bën të shpresosh. “Mund të them se mungon loja tradicionale që ka zhvilluar ekipi ynë, pikërisht loja në krahë. Nuk po shohim rrezikshmëri nga krahët, dhe kjo të bën që të mos kesh shumë besim, pasi ne gjithnjë kështu kemi luajtur, meqenëse edhe rreziku është më i madh. Pra, me pak fjalë, nuk funksionojnë të dy krahët njëlloj. Mungojnë krosimet dhe rreziku para portës. Megjithatë, duke parë lojërat e fundit, them se skuadra ka pasur njëfarë rritjeje që të bën të shpresosh”.
Ecuria Suad Lici sa i përket së ardhmes së këtij ekipi nuk e sheh me shumë optimizëm. “Natyrisht që nuk mund ta shoh me shumë optimizëm të ardhmen, kjo sa i përket kreut. Dalja jashtë kupe ishte një shok për Vllazninë, sepse mund të ishte një mundësi e mirë për këtë skuadër që të luftonte për një trofe. Nuk mund të them se tani po diskutohet për titull, pasi e shikoj si të paarritshëm, por sa i përket renditjes në mes katër ekipeve të para Vllaznia është ende në luftë. Ajo që unë e shikoj si pozitive është që kuqeblutë kanë krijuar tanimë një skelet, i cili duhet ruajtur. Mendoj se drejtuesit duhet të ndërhyjnë në merkato, por kjo të jetë cilësore, në mënyrë që të arrihet ai objektiv që i kanë vënë vetes. Ndërkaq, ajo çka mund të them është se elementi i ri do të jetë jashtë loje, dhe kjo nuk është gjë pozitive”, – ka përfunduar Suad Lici.

Admir Uruçi