Kampionati kombëtar i basketbollit të meshkujve tashmë ka hyrë në rrugën e duhur, atë të përballjeve direkte në mes ekipeve pretedente. Vllaznia e ka nisur mirë kampionatin duke i fituar dy ndeshjet e para por këtë javë është përballja e parë e rëndësishme. Ajo që do të luajë në kryeqytet ditën e shtunë me ekipin e Tiranës, i cili edhe ai pretendon titullin kampion këtë sezon. Trajneri Bledar Gjeçaj është i kënaqur me nisjen që ekipi i tij i ka bërë kampionatit megjithatë pret të testojë veten në ndeshjen e së shtunës me bardheblutë.

“Dy ndeshjet e para i kemi fituar bindshëm ndaj kundërshtarëve tanë por që duhet pranuar se nuk kanë qenë në nivelin e Vllaznisë. Përballjet e vërteta nisin këtë javë teksa do luajmë me Tiranën, që ashtu si ne dhe Kamza Basket, pretendon titullin sivjet. Do të luajmë në Tiranë megjithatë do të kërkojmë ta fitojmë këtë ndeshje”- ka thënë Gjeçaj për gazetën tonë. Ardhja e dy basketbollistëve malazezë dhe e shkodranit Arra, e ka rritur forcën e ekipit por trajneri Gjeçaj mendon se edhe pjesë tjetër e skuadrës ka rritje të dukshme të formës sportive dhe ky është një tregues që garanton trofe këtë sezon. “Mendoj se gjërat po shkojnë mirë. Forma e ekipit është e mirë, edhe kontigjenti i lojtarëve që kam në dispozicion është rritur nga ana profesionale dhe prandaj do të kërkojmë që këtë sezon të mos dalim pa një trofe, kupën ose kampionatin”- ka thënë trajneri i kuqebluve.Përballja Tirana- Vllaznia do të luhet të shtunën në orën 17.00 në sallën sportive “Fahrije Hoti” të kryeqytetit ndërsa ekipi i femrave i basketbollit të femrave të Vllaznisë, ndeshjen e rradhës e ka në Shkodër po të shtunën në orën 12.00.
© shkodrasport.com