Pasditën e sotme, Pogradeci, që siç dihet këtë sezon po drejtohet nga trajneri shkodran Samuel Nikaj, ka arritur të marrë një tjetër fitore në javën e gjashtë të kampionatit të Kategorisë së Dytë.

Liqenorët kanë zhvilluar një lojë të mirë dhe kanë fituar me rezultatin 3-1 ndaj Memaliajt në shtëpi. Golat e fitores janë shënuar nga Këndezi, Shyti dhe Alillari në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë, më konkretisht në minutën e 26-të, 41-të dhe 58-të.

Kjo ka qenë fitorja e pestë e Nikajt në krye të kësaj skuadre në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani dhe duket se gjithçka po ecën mbarë për trajnerin shkodran në Kategorinë e Dytë. Në fakt, ekipi i Memaliajt u mundua të tregojë vlerat e saj më të mira në fushën e lojës, por në fund ndeshjen e ka fituar me meritë ekipi i Pogradecit i drejtuar nga trajneri shkodran Nikaj.

Tashmë, pas kësaj fitoreje, Pogradeci kryeson tabelën e renditjes me 16-pikë. Kështu, liqenorët po tregojnë se do të jenë pretendentët kryesorë për ngjitjen në Kategorinë e Parë gjatë sezonit që vjen.

Mënyra se si është ndërtuar Pogradeci i këtij sezoni tregon se objektivat janë shumë serioze dhe ngjitja një kategori më lart është detyrë për futbollistët që e përbëjnë këtë skuadër, si edhe për trajnerin shkodran Nikaj. Ky do të ishte ekipi i katërt me të njëjtin sukses nën drejtimin e Samuel Nikajt pas Flamurtarit të Prishtinës, Kastriotit të Krujës dhe Vushtrisë.
Maringlen ZHIVANI