Çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola “rrëmben” një tjetër trofe. Pikërisht atë të organizuar sot në Vlorë në nderim të ish- kampionit të këtij qyteti, Muharrem Hametit. Në këtë kupë kanë marrë pjesë sportistët më të mirë të Shqipërisë, garë kjo e organizuar për kategorinë e juniorëve dhe kadetëve. Ajo është organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë dhe ka patur për itinerar 20 xhiro nga qendra e qytetit deri në Skelë e kthim.

Ajo është zhvilluar me shumë rivalitet dhe vetëm finishi ka përcaktuar fituesit. I pari e ka prerë atë Bruno Kola i cili bëhet kësisoj fitues edhe i kësaj kupe, ashtu siç ka fituar edhe dy kupat e tjera të organizuara kohët e fundit, atë “26 Marsi” në Kavajë dhe atë “Brahim Syka” në Shkodër. Pas tij, janë renditur Sali Ballgjini i Teutës dhe Amarildo Goga i Apolonisë. Pas nderimit të më të mirëve të kësaj kupe, ka patur edhe një ceremoni për të nderuar protagonistin e kësaj kupe, Muharrem Hametin të cilit Bashkia Vlorë i ka akorduar titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Sigurisht që është gjithmonë bukur të nderohen të tillë kampionë të mëdhenj dhe kjo traditë e nisur nga Federata Shqiptare e Çiklizmit pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Renditja
1. Bruno Kola       (Vllaznia)
2. Sali Ballgjini      (Teuta)
3. Amarildo Goga (Apolonia)

 

© shkodrasport.com