Kastrioti vazhdon të tregohet një ekip i fortë në Kamzë. Ekipi krutan frenoi Laçin e vendit të dytë në një barazim 1-1, rezultat të cilin trajneri Emiliano Çela e cilësoi pozitiv në analizën e kryer për “Gol pas Goli” në Supersport.

“E nisëm shumë mirë ndeshjen, por nuk më pëlqeu edhe aq shumë qarkullimi i topit, pasi ishte një qarkullim horizontal. Laçi ishte pozicionuar me forca të shumta dhe kërkonte të na kapte në thellësi me Guindon dhe Adeleken, të cilët janë lojtarë të shpejtë.

Më pas ekipi ynë pati problem, pasi ishte një ndeshje me ngarkesë të madhe psikologjike. Të gjithë e dimë që klubet tona nuk janë aq profesionale në rigjenerimin e lojtarëve pas katër ditësh.

Sali? Ai ka bërë paraqitje shumë pozitive, është bërë një forcë e madhe e ekipit tonë. Kam pasur besim tek ai që kur mora drejtimin e ekipit, është serioz dhe punon, sot shfaqi gjithë cilësitë e veta. Edhe me Kainan jam i kënaqur, po shënon. Këtë pikë e trajtoj pozitive. Duke parë mënyrën se si shkoi ndeshje, kjo është një pikë pozitive për ne.

Mbijetesa? Jemi optimistë, tani e kemi në këmbët tona gjithçka. Na presin finale, do mundohemi të përmirësohemi që të arrijmë në një pikë që ekipi qarkullon dhe dominon. Duhet të jemi në ekuilibër.

Reagimi i ekipit në janar? Vjet kishim fazën e parë pozitive, këtë vit ka ndodhur e kundërta. Nuk mund të flas ndër vite, situatat ndryshojnë. Jam shumë i kënaqur me të gjithë lojtarët dhe rezultatet deri në momentin që ndodhem këtu. Shpresoj të vazhdojmë këtë ecuri.

Jemi në proces pune, do mundohemi të marrim pikë ndaj çdo kundërshtari, ka rëndësi të mos futemi në fushë si inferiorë. Jemi ekip që marrim rezultat, ndaj Egnatias ndikuan episodet.

E kam parë edhe më pas, ka ndikuar drejtpërdrejtë arbitrimi në atë ndeshje. Arbitri i ka vënë nën presion lojtarët, u ka shtuar stres atyre.

Luhatjet? Shpresoj që arbitrat të jenë të përgjegjshëm dhe të na japin hakun. Po punojmë, po sakrifikojmë, dua vetëm të shpërblehemi nga ajo djersë dhe punë që bëjmë”, deklaroi trajneri i Kastriotit.