Të premten u prezantua zyrtarisht si trajner, kurse sot veshi tutat për të drejtuar seancën e parë stërvitore. Nevil Dede është i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur, por rrëfen se planet e tij shkojnë përtej ngjitjes. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai thekson se komentet janë të tepërta për Dinamon, pasi flet vetë historia dhe trofetë. 47-vjeçari thotë se egoja e tij është bashkuar me atë të presidentit Ardian Bardhi, ndërsa si objektiv kryesor ka që t’i rikthejë dinjitetin Dinamos. Vlerëson lojtarët që do të ketë pjesë të organikës, teksa paralajmëron se me merkaton do të tregohen të kujdesshëm.


Profesor Dede, pse vendosët të merrni drejtimin e Dinamos?

Vendosa të marr drejtimin e Dinamos, sepse është një skuadër me emër dhe histori. Nuk ka nevojë për shumë komente në këtë rast, trofetë e këtij klubi flasin qartë. Po ashtu, edhe korrektesa e presidentit Ardian Bardhi më shtyu të marr këtë vendim. Jam plotësisht i bindur se kam bërë zgjedhjen më të mirë.

Edhe pse bëhet fjalë për Kategorinë e Parë…?

Nuk ndikon aspak ky fakt tek unë. Jam një njeri që dua të punoj me korrektësi dhe ndershmëri deri në fund. Kështu kam bërë si lojtar dhe kështu po bëj edhe tani si trajner. Këtë bëra edhe me Erzenin sezonin e fundit. Dhe kur punon, suksesi do të vijë patjetër.

Logjikisht, objektivi është rikthimi i Dinamos në Superiore. Po Nevil Dede, a ka një sfidë personale në krye të kësaj skuadre?

Patjetër. Objektivi im është që t’i rikthej Dinamos dinjitetin. E thashë edhe pak më lart se kam një ego të madhe personale. Çdo gjë e shoh si një sfidë që kam përpara dhe që dua ta kaloj. Mund të punoja në kushte komode në ndonjë skuadër tjetër, që nuk ka objektiva madhorë për të arritur, por kam zgjedhur këtë rrugë. Më kanë pëlqyer gjithmonë sfidat dhe një e tillë është edhe Dinamo. Do të punoj për rikthimin e saj në Superiore, por mbi të gjitha për t’i rikthyer dinjitetin kësaj skuadre, siç ajo e meriton.

Si do ta bëni këtë? Si do ta bëj?

Së pari duke rikthyer dinjitetin e disa lojtarëve që janë te Dinamo dhe që unë jam i lumtur që i kam. Nuk është nevoja të them shumë emra dhe askujt nuk duhet t’i mbetet hatri, por do të përmendja Eni Imamin, Sabien Lilajn, Edvan Bakajn, Patrik Bardhin. Ata kanë dinjitetin e tyre në futbollin shqiptar, që e kanë vënë vetë, nuk ua kam dhënë unë ose dikush tjetër. Duke u rikthyer dinjitetin këtyre lojtarëve dhe të tjerëve, do të rikthehet edhe dinjiteti i Dinamos, e më pas do të vijë suksesi.


Klubi vendosi të ruajë 80% të skuadrës së sezonit të kaluar, që në fakt janë lojtarë, të cilët e kanë marrë një goditje psikologjike…

Unë e thashë që jam i lumtur që do t’i kem këta lojtarë te Dinamo sezonin e ri. Janë lojtarë me vlera dhe që duke rigjetur dinjitetin dhe besimin, siç fola më sipër, do ta ndihmojnë shumë Dinamon.


Po për merkaton, keni folur me drejtuesit këto ditë, ata kanë planifikuar 4-5 blerje?

Kemi diskutuar dhe te kjo pjesë do të jemi shumë të kujdesshëm. Një gjë e mirë nga sezoni i kaluar është se te Dinamo janë aktivizuar disa lojtarë të rinj në moshë, siç është rasti i portierit Simoni dhe disa të tjerëve. Ne do të përpiqemi që ta kthejmë Dinamon në Superiore, si dhe të ingranojmë lojtarë të rinj në skuadër. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë gjë, do të ishte vërtet diçka shumë pozitive.


Kategoria e Parë pritet të ketë rivalitet të madh, ndërsa për ju personalisht do të jetë një “sfidë” me disa ish-lojtarë të kohës suaj, që tani janë trajnerë, si Duro apo Memelli. Si e parashikoni kampionatin?

Do të jetë një kampionat shumë i bukur, pa dyshim. Sinqerisht, më bëhet qejfi për ata që kanë luajtur futboll me mua dhe kanë pasur sukses, ndërsa tani po bëjnë trajnerin, ashtu si unë. Do t’i shtrëngojmë dorën njëri-tjetrit në fund, pastaj për suksesin do të flasë fusha, kush të jetë më i zoti. E vërteta është që do të luajmë në qytete që vërtetë e duan shumë futbollin dhe që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar. Detyra jonë është që t’u falim kënaqësinë tifozëve të këtyre qyteteve të shijojnë një futboll të bukur dhe mbi të gjitha “fair play”. Uroj të ketë sa më shumë tifozë në stadiume, sepse ata janë prona më e madhe që një klub futbolli ka.