Pas disfatës në Ballsh, trajneri I Vllaznisë Armir Grima është duke u përgatitur për të shijuar fitoren e tij të parë në këtë post. Pikërisht në ndeshjen e kësaj jave ndaj Apolonisë që do luhet në “Loro Boriçi”. Tek futbollistët duket një dëshirë e madhe për të reaguar edhe pas kritikave të forta që ata morën nga trajneri I tyre në analizën që kanë zhvilluar ditën e martë. Duke folur për takimin e rradhës ndaj fierakëve, Grima do të shprehej shumë entuziast pas stërvitjes së djeshme teksa ka thënë: “Kanë mbetur edhe 5 ndeshje dhe secila prej tyre është e rëndësishme për ne. Kuptohet që nuk jemi në pozita shumë komode dhe prandaj do kërkojmë patjetër fitoren në takimin e rradhës me Apoloninë. E kemi të qartë se edhe fierakëve u duhen pikët por ata t’I kishin marrë në ndeshjet e tjera apo t’I kërkojnë pas takimit me ne. Në Shkodër, ata t’I harrojnë pikët. Do jetë një fitore e pastër e Vllaznisë dhe këtë besoj se nuk e vë askush në dyshim. Kjo ka për t’u parë edhe të shtunën në fushën e lojës”. Por përpara se të mendohet për sfidën e pas dy ditëve, në kampin shkodran është analizuar me hollësi ballafaqimi I humbur javën e shkuar në Ballsh, ku sidomos në pjesën e parë ka patur jo pak gabime. Pikërisht në lidhje me to, në analizën e së martës, trajneri Grima ka ngritur jo pak zërin teksa bashkë me skuadrën kanë ndjekur të plotë në dvd ndeshjen. I pyetur pse kaq shumë kritika për futbollistët e tij, ish-portieri që tashmë mban rolin e trajnerit të Vllaznisë, do shprehej: “Sigurisht që gjithmonë ka vend për kritika, aq më tepër pas një humbje. Ajo për të cilën unë ngrita zërin ka qenë mënyra me të cilën luajmë. Vllaznia ndoshta si asnjë skuadër tjetër, luan shumë e hapur në fushë dhe nga kjo e ka pësuar në shumë raste. Nuk duhet të ndodhë më kështu. Përgjegjësinë më të madhe duhet ta kenë futbollistët më me emër dhe më me eksperiencë, tek të cilët duhet të bazohet edhe loja e skuadrës sonë. Unë kam shpresë se ndryshimet e para do të fillojnë të duken që këtë javë ndaj Apolonisë”. Për ndeshjen e kësaj jave, do rikthehet për të luajtur sulmuesi Hajdari I cili mesa duket e ka lënë tashmë pas dëmtimin që ka patur. Por nëse ai pritet të rikthehet, sërish të pamundur për të luajtur duket se do jetë malazezi Popoviç. Ka edhe të tjerë me probleme dhe në këtë mënyrë, duket se edhe stafi drejtues kuqeblu do ketë pak alternativa dhe njëkohësisht pak mundësi për të ndryshuar në formacion. Duke folur në lidhje me këtë çështje, trajneri Grima do thoshte: “Për ndeshjen me Apoloninë mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël në formacion sepse kthehet Hajdari por mos prisni shumë ndryshime. Kontigjenti I Vllaznisë ky është dhe nuk ka vend më për ndryshime të mëdha. Thjesht mund të ketë një apo dy lëvizje apo ndonjë spostim taktik dhe kaq. E rëndësishme është që të merret më e mira e mundshme nga ana e këtyre lojtarëve deri në fund të kampionatit në mënyrë që të renditemi në një pozicion sa komod në renditje”.  Vllaznia në këtë mënyrë duhet ta mbyllë me sukses ndeshjen me Apoloninë njëherë për të fituar qetësinë dhe pastaj për të parë më përpara.

Gjergj KOLA