Besëlidhja sot do të ndeshet me Laçin në Lezhë dhe kjo është miqësorja e parë për lezhjanët në këtë fazë përgatitore. Trajneri Sinan Bardhi flet për “Panorama Sport” për herë të parë pas rikthimit të tij pas 5 vjetësh në krye të stolit lezhjan.

“Po mbyllet një javë stërvitjeje dhe jam i kënaqur nga performanca e futbollistëve, të cilët po e marrin veten shumë shpejt. Grupi ka nevojë edhe për dy lojtarë, jemi në bisedime dhe shpresoj që shumë shpejt do të arrijnë akordin me presidentin e do t’i kemi në dispozicion.

Nesër kemi një miqësore me Laçin për të parë si reagon grupi në ngarkesë të plotë. Do të shohim dhe pozicionet ku duhet ndërhyrë. Miqësorja i shërben Laçit, pasi është në kompeticionet europiane, por na shërben edhe neve për të parë ku jemi.

Sa u përket kushteve në Lezhe, e kam theksuar edhe herë të tjera se është si në Superiore. Na mbetet të punojmë fort për të realizuar objektivin”, ka theksuar trajneri Bardhi.

Deri tani Besëlidhja ka bërë dy goditje në merkato, ka marrë portierin Erind Selimaj dhe mesfushorin Stivi Shaba.