Erzeni është një prej skuadrave që ka bërë më shumë lëvizje në merkaton e verës, në një kohë që deri më 31 gusht, klubi do të vazhdojë të bëjë afrime. Deri më tani konsiderohen lojtarë të ekipit shijakas emra si Dashamir Xhika, Gëzim Krasniqi, Klevis Hasanbelli, Ardit Peposhi, Fernando Armando dos Santos, Adnard Mehmeti, Enbija Shehu, Progon Maloku, Drilon Kryeziu, Amir Kahrimanoviç, Ardit Iljazi, Alan Rodrigues, Florijan Kadriu dhe Nehar Sadiki.

Drejt firmës me Erzenin është edhe sulmuesi senegalez Thierno Thioub, i cili luajti edhe në miqësoren e fundit me Laçin. Ndërkohë, ende nuk ka një konfirmim nga klubi për mbrojtësin Elis Doksani dhe mesfushorin Abjel Bejzade, të cilët po stërviten prej ditësh me ekipin. Skuadra që do të zbresë në fushë të shtunën ndaj Vllaznisë, nuk ka lidhje me atë të sezonit të kaluar, pasi ka pasur plot 17 ojtarë të larguar.

Gjithsesi, trajneri Xhevahir Kapllani, edhe pse një luftë me kohën, po punon fort për të harmonizuar sa më shpejt të jetë e mundur grupin aktual. Ndryshimet e shumta kërkojnë kohë, por durrsaku i pankinës shijakase, mendon se me 2-3 afrime Erzeni mund të quhet i kompletuar. Në një prononcim për “Panorama Sport”, fillimisht Kapllani foli për paraqitjen që bëri skuadra në miqësoren e fundit ndaj Laçit, ku humbi me shifrat 2-0.

“Në testin me Laçin, skuadra ishte solide deri ne momentin kur u dëmtua mesfushori Mehmeti. Kjo më pëlqeu, pasi ekipi u soll në fushë sipas asaj që kishimpërgatitur në stërvitje. Pra, në 20 minutat e para skuadra ishte e vendosur shumë mirë në çdo repart. Në rolin e mesfushorit shkatërrues kemi mungesë alternativash, prandaj dhe sapo doli nga fusha Mehmeti, filluan problemet në lojën tonë.

Duke qenë se në futbollin profesionist detajet bëjnë diferencën, në rastin e golit të parë, e pësuampër gabimet tona individuale, që do t’i përmirësojmë në vazhdim”, ka thënë fillimisht trajneri i shijakasve. I pyetur nëse skuadra është gati për ndeshjen e javës së parë ndaj Vllaznisë, Kapllani u shpreh:

“Ne e kemi një ide të qartë për skemën dhe lojtarët. Me gjithë mangësitë, prapë kemi disa futbollistë që mund të mbulojnë disa pozicione në fushë. Presim 2-3 afrime të tjera për t’u kompletuar dhe atëherë mund të themi se jemi gati ndaj Vllaznisë”.