Optimizëm në kampin shkodran në prag të ndeshjes së nesërme me Fortunën. Trajneri Nikolin Leka pas stërvitjes së fundit me ekipin, në prononcimin e tij për gazetarët ka vlerësuar rëndësinë e këtij takimi dhe njëkohësisht ka shpalosur edhe objektivin e ekipit që drejton.
“Padyshim që kemi të bëjmë me një ndeshje historike sepse luhet për herë të parë një ndeshje e tillë kaq e rëndësishme në Shqipëri. Për ne është privilegj i madh por kjo vlen falë punës shumëvjeçare që ekipi ka bërë. Kjo nuk ka ardhur rastësisht, por është punuar fort për të arritur deri këtu.
Të paktën këto tre vitet e fundit iu afruam shumë këtij suksesi derisa më në fund sivjet ia dolëm të kualifikohemi për në 32 skuadrat më të mira të kontinentit.
Gjendja e ekipit është shumë e mirë, ka një harmoni shumë të madhe mes vajzave të cilat kanë qenë më parë pjesë e tij por edhe të atyre që kanë ardhur së fundi. Prandaj nesër ne do të tentojmë të bëjmë të pamundurën. Do të tentojmë të nxjerrim një rezultat sa më pozitiv sepse vërtetë kemi hyrë në histori, por kemi dëshirë të vazhdojmë edhe më tutje.
Fakti që e luajmë këtë ndeshje të parë në Shkodër na favorizoi sepse besoj që do të kemi mbështetjen e shumë tifozëve dhe kjo do të na motivojë edhe më shumë për të bërë më të mirën në këtë ndeshje. Me mbështetjen e tyre do synojmë fort për të marrë pse jo edhe fitoren në këtë takim të parë të këtij turi”- ka thene trajneri i Vllaznise Nikolin Leka.
© shkodrasport.com