Në kampionatin kombëtar të Kategorisë së Dytë në futboll, Ada e Velipojës ka katër ndeshje pa u mundur. Kështu, edhe në këtë javë, takimi i zhvilluar pasditën e së shtunës në stadiumin “Redi Maloku”, në mes Ilirisë dhe Adës, u mbyll në barazim pa gola, me rezultatin 0-0.

Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, trajneri i Adës, Arbër Shytani, foli për këtë ndeshje, teksa nga ana tjetër u ndal edhe te “derbi shkodran”, që e pret në fundjavë me Veleçikun, që sipas tij, do vlerësohet në maksimum si ndeshje.

“Ishim të vetëdijshëm se ishte një transfertë e vështirë, pasi Iliria është një ekip me vlera, aq më shumë në fushën e tyre. E kishim vlerësuar maksimalisht gjatë gjithë javës, gjë që u reflektua në ndeshje, duke zhvilluar një 90-minutësh mjaft të mirë.

Sigurisht që, ndikim pozitiv kanë dhënë afrimet që kemi realizuar në janar, pasi kemi katër ndeshje pa humbje, por mendoj se një rol shumë të madh, ka edhe ana psikologjike e ekipit, ku tashmë ka krijuar besim në vetvete dhe në potencialin që ka për të bërë mirë.

Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, që kanë ndeshjet në vazhdimësi, por kampionati ky është. Do përballesh me të gjithë. Ne do t’i përgatisim në mënyrën më serioze të mundshme ndeshje pas ndeshje dhe mendoj se kur ka seriozitet, pasion dhe përkushtim, rezultatet nuk do të mungojnë.

Nuk mendoj se mund të bëjmë ndryshime të mëdha në ndeshjet në vazhdim, por duhet të shfrytëzojmë këtë moment të mirë, që po kalojmë në lojë dhe në rezultate, për të pasur vazhdimësi dhe për t’i marrë maksimumin e mundshëm çdo ndeshje.

Me Veleçikun është ndeshja e rradhës dhe si e tillë, do vlerësohet maksimalisht, si çdo kundërshtar tjetër.

Sigurisht që, e njohim si kundërshtar dhe jemi të vetëdijshëm, sepse ka mbase ekipin më të mirë të kësaj kategorie dhe padyshim që, janë ekip favorit, por ne do zhvillojmë ndeshjen tonë dhe në fund do marrim atë që do meritojmë.

Me rëndësi për ne, është që po krijojmë një bazë, mbi të cilën do mbështetet Ada e sezonit të ardhshëm, ku mendojmë se do kemi një Adë ndyshe, ku të ketë hap pretendenti, duke lënë pas problemet e sezoneve të fundit”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Adës, Arbër Shytani.
Maringlen ZHIVANI