Ditën e sotme është pritur të ketë një vendim në lidhje me ekipin e futbollit të femrave të PAOK tek i cili i kishte sytë dhe shpresat ekipi i Vllaznisë që mund ta zëvendësojë atë në turin e dytë të Champions League Women. Grekët kanë aktivizuar një futbolliste tjetër me një emër tjetër në ndeshjet e luajtura në Bosnjë dhe ekipi shkodran por edhe kampionia e Luksemburgut e kanë apeluar një veprim të tillë në UEFA.

Mesditën e sotme ka patur një mbledhje të Komisionit të Disiplinës së saj ashtu siç ishte lajmëruar por zyrtarisht ende nuk ka një vendim. Gjithsesi, Roland Luçi, ish- futbollisti i njohur i Vllaznisë, falë njohjeve dhe lidhjeve që ka në institucionin e futbollit europian duket se ka marrë disa informacione dhe i ka bërë publike ato në faqen e tij në facebook kur shkruan:

“News insider (lajm i brendshëm): Vajzat e Vllaznise ne Champions? Mbas parregullsive ne ndeshjet ne grupe, UEFA porsa vendosi qe te instaloje nje komision te posaçem per shqyrtimin e rastit konkret ndaj PAOK te Selanikut.Shenje e mire dhe besoj se Vllaznise i hapet ngadale dera drejt fazes finale te Championsit”! Kaq ka shkruar ai, çka të lë të kuptosh se përderisa do të ngrihet një komision i posaçëm për të shqyrtuar këtë çështje, do të thotë se UEFA e ka marrë seriozisht këtë gjë. Megjithatë futbollisteve shkodrane u duhet të presin edhe disa ditë për të marrë lajmin e mirë.

© shkodrasport.com