Starti i shkëlqyer i kampionatit duhet shfrytëzuar nga Vllaznia dhe pas fitores në Laç, i duhet ta pasojë atë me një tjetër ndaj Teutës. Gazetari sportiv Admir Uruçi ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” ku fillimisht në fjalën e tij është ndalur tek fitorja e kuqebluve javën e kaluar në Laç për të cilën është shprehur:

“Vllaznia e nisi mbarë kampionatin sepse të fitosh në Laç është diçka shumë e rëndësishme dhe madje në Shkodër gjithmonë kanë thënë që “të fitosh në Laç nuk merr tre pikë, por gjashtë” sepse është një fushë tejet e vështirë, tejet problematike.

Në 7 vitet e fundit nuk kemi fituar asnjëherë në këtë fushë, madje Vllaznia ka shënuar vetëm 4 gola dhe t’i shënosh 5 në vetëm 90 minuta padyshim që ishte diçka e papritur për shumëkënd dhe një start i tillë duhet t’u japë krahë kuqebluve”.

Ndërkohë, duke folur në lidhje me sfidën e së shtunës me Teutën, gazetari Uruçi ka vlerësuar faktin që Vllaznia është formatuar sivjet për të qenë pretendente për titullin kampion, teksa ka thënë:

“Unë besoj tek fitorja ndaj Teutës. Vllaznia është formatuar për të qenë pretendente për titull, brumin e lojtarëve e ka dhe në krahasim ndoshta me skuadrat e tjera, ka një numër lojtarësh të bollshëm në dispozicion të stafit teknik.

E keni parasysh ndeshjen e kaluar me Laçin, kur i munguan 4-5 lojtarë, por mungesat e tyre nuk u ndjenë fare sepse kishte lojtarë të tjerë që i zëvendësuan pa problem. Dhe kjo është një gjë shumë e mirë për një skuadër që dëshiron të fitojë diçka”./SHKODRA-SPORT.COM/