Kampion ne fushe, por jashte saj Tirana vazhdon te vuaje. Bardheblute kane humbur nje tjeter gjyq me ish- lojtaret e tyre dhe si rrjedhoje do t’u duhet te vazhdojne te paguajne per gabimet e bera me ta.

Sipas “Panorama Sport” FIFA ka publikuar vendimin ku lojtari ka fituar 67800 euro, të cilat duhet t’i paguajë klubi i Tiranës. Elton Kale para gjykatës së FIFA-s ka kërkuar 99500 euro si detyrime të prapambetura.

Në përgjigjen e tij, klubi pranoi se kishte mospagesë të shumave të caktuara për lojtarin, por argumentoi se vetëm shuma prej 17,085 eurosh ishte detyrimi, duke hedhur poshtë kërkesën e Kalesë lidhur me të drejtën e tij për 95500 euro.

Gjykata pasi analizoi me kujdes çështjen në vendi konkludoi se në përputhje me parimin ligjor, “pacta sunt servanda”, lojtari ka të drejtë të marrë një shpërblim të papaguar në shumën prej 67800 eurosh mes rrogave, shpërblimeve dhe bonuseve të ndryshme që kanë qenë në kontratën mes palëve.

Gjithashtu FIFA në vendim u ka lënë kohë bardhebluve 45 ditë për të paguar brazilianin.Vendimi për Elton Kalenë, vjen pas atij të Agustin Torasës dhe Tim Vairinenit. Juristët e studios që ndjekin çështjen janë të bindur se Tirana do të paguajë edhe gjysmën e vlerës që ka fituar Torasa, Kale e Vairinen në Disiplinën e FIFA-s.

Nga ana tjetër, Tirana ka kërkuar në KAS, Lozanë, pezullimin e dënimit për bllokimin e merkatos për të gjitha çështjet sportive që ka humbur në “dhomën e zgjidhjes së mos marrëveshjeve të FIFA-s”.