E ka nisur me fitore vitin 2018 ekipi i Veleçikut teksa mundi në ndeshjen e parë Kukësin B me rezultatin e pastër 3-0 dhe ndërkohë djemtë e drejtuar nga trajneri Besnik Duli tashmë po bëhen gati për sfidën e dytë.

Atë që do të luajnë ditën e dielë sërish në Koplik dhe këtë herë përballë Internacionalit.

Skuadra është duke u përgatitur me shumë dëshirë dhe intensitet gjatë këtyre ditëve, pavarësisht reshjeve të shiut që kanë rënë.

Ekipi duket i karikuar dhe ajo që mbizotëron është fryma e grupit. Veleçiku e ka ndarë mesa duket mendjen sivjet për të pretenduar deri në fund ngjitjen një kategori më lart.

Po kush janë protagonistët kryesorë të këtij ekipi? Portieri kryesor i tij është Lopçi.

Në mbrojtje ndërkohë katërshja e zakonshme është e përbërë nga Osmani që luan në të djathtë, Besart Çokaj e Lami në qendër dhe Dodaj në të majtë.

Sakaq, mesfusha ndoshta është reparti i lojtarëve më me përvojë, duke filluar nga Pelinku e për të vazhduar me Gogajn, Plishtën e Banushin.

Ndërsa sulmi i është besuar dyshes Denis Çokaj dhe Ujka e cila deri më tani nuk ka zhgënjyer duke shënuar golat e duhur.

Trajneri Duli ka në dispozicion edhe disa futbollistë të tjerë të rinj të cilët japin kontributin e tyre të herëpashershëm kur u kërkohet dhe ky kolektiv pritet që t’i gëzojë sërish sportdashësit koplikas sivjet.
© shkodrasport.com