Ada e Velipojes eshte rikthyer tek fitorja ne kampionat dhe pasditen e sotme ka mundur me rezultatin e ngushte 1-0 ekipin e Bulqizes. Skuadra e drejtuar nga trajneri-futbollist Adi Mehja i është falur golit të shënuar në minutën e 6-të me autor shtatlartin Sajdi Gurin, ndeshje kjo e luajtur në stadiumin “Adriatik” të Velipojës.

Ka qënë një harkim perfekt nga këndorja e djathtë e sulmit velipojak përmes mesfushorit Semir Goga që i ka dhënë mundësi shtatlartit Guri të zhytet me kokë duke e dërguar topin në rrjetën e portës bulqizake.

Në fakt, përpara golit të Gurit, Ada ka pasur edhe një rast të artë për të shënuar që në minutën e dytë me anë të sulmuesit kryesor të saj, Ardi Frroku që është edhe golashënuesi më i mirë i Adës në këtë sezon futbollistik, por portieri mik ka bërë mrekullinë.

Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e Adës 1 me 0, ndërkohë që me të filluar pjesa e dytë është përsëri Ardi Frroku që rrezikon në të 60-tën për të vijuar me dy raste të tjera të Roland Shkrelit dhe kapitenit Brian Ferhati.

Futbollistët e Adës vijojnë të sulmojnë duke mbajtur nën presion kundërshtarin për të ardhur tek minuta e 85-të kur një gjuajtje spektakël nga rreth 30 metra e Semir Gogës përplaset në tranversën e portës së Bulqizës dhe kthehet përsëri në lojë.

Minutat e fundit të ndeshjes japin disa shkëndija të skuadrës mike me dy-tre gjuajtje drejt portës së Adës, por ashtu si edhe gjatë të gjithë ndeshjes, edhe në këto raste, portjeri veteran Besnik Ndoj është në gatishmëri të plotë duke e mbajtur rrjetën velipojake të paprekur. Perfundimisht 1-0 per Aden ndaj Bulqizes.