Ndeshja e parë konsiderohet gjithnjë e rëndësishme, edhe kur bëhet fjalë për në janar. Të tillë e konsideron edhe Vllaznia, duke parë edhe situatën në të cilën ndodhet aktualisht, ku vetëm fitorja i bën punë për ta rifutur sërish në “shina”. Sfida e parë e shkodranëve pas pauzës së fundvitit, është pikërisht ajo me Partizanin.
Me këtë kundërshtar, kuqeblutë nuk janë përballur asnjëherë në ndeshjen e parë të vitit. Megjithatë, këtë herë ekipi i Mirel Josës do të jetë mysafir në kryeqytet, me situatën që tek Vllaznia bën punë vetëm fitorja.
Në fakt, “Shkodra Sport” u ka bërë një vëzhgim ndeshjeve të para të vitit që Vllaznia ka zhvilluar, si në Superiore, ashtu edhe në Kategorinë e Parë dhe në tërësi bilanci është negativ.
Nga 10-takime, shkodranët kanë fituar katër, barazuar vetëm një dhe kanë humbur pesë. Pikërisht, këto disfata në ndeshjet e para të vitit janë koleksionuar në sezonet që shkodranët kanë pasur shumë probleme dhe luhatje, siç po ndodh edhe aktualisht.
Sa i takon epokës së menaxhimit nga presidenca Xhaferi, vitin e kaluar Vllaznia mori një barazim në transfertë me Tiranën, ndërsa para dy vitesh mposhti në shtëpi Teutën. Ndërkohë, shkodranët janë “preja” e preferuar e Kukësit, pasi janë përballur tre herë dhe kanë po aq fitore, për më tepër si mysafirë në Shkodër.
Me pak fjalë, pavarësisht statistikave që mbeten në letër, Vllaznia vjen në përballjen e parë me Partizanin me synimin e vetëm për fitore. Ndërkohë, më poshtë mund të lexoni edhe bilancin e Vllaznisë në ndeshjet e para të janarit në 10-vitet e fundit. /Maringlen ZHIVANI/
Sezoni 2021-2022: Tirana-Vllaznia 0-0
Sezoni 2020-2021: Vllaznia-Teuta 1-0
Sezoni 2019-2020: Vllaznia-Flamurtari 2-0
Sezoni 2018-2019 (Kategoria e Parë): Erzeni-Vllaznia 2-0
Sezoni 2017-2018: Vllaznia-Kukësi 1-3
Sezoni 2016-2017: Vllaznia-Kukësi 0-1
Sezoni 2015-2016: Vllaznia-Skënderbeu 1-0
Sezoni 2014-2015: Vllaznia-Kukësi 1-2
Sezoni 2013-2014: Skënderbeu-Vllaznia 2-1
Sezoni 2012-2013: Skënderbeu-Vllaznia 0-1
Bilanci: Katër fitore, një barazim dhe pesë humbje