Karriera e tij nuk është se ka qenë shumë brilante, sepse nuk e lanë të ishte e tillë. E ndërprerë në mes, pa ndeshje ndërkombëtare, pa shkëlqimin e duhur, megjithatë mbetet i “madh”. E kemi fjalën për Paulin Ndojën, emrin më të madh të portës shkodrane në vite. Jo më kot, ai konsiderohet legjenda e portës së Vllaznisë. Ai ka marrë dhe vazhdon të marrë vlerësime të shumta nga të gjithë. E rrespektojnë, e duan, sepse ky njeri i tillë është.

Në rrëfimin e tij të mëposhtëm, ish-portieri i njohur i skuadrës shkodrane flet për gjithçka. Ndoja u shpreh se të ngresh një Kupë me fanellën e Vllaznisë je personi më i lumtur, ndërsa theksoi se populli i Shkodrës është një popull aq sportdashës, sa vështirë që mund të ketë një tifozëri të dytë, si ajo e Vllaznisë.

“Kur e morëm ne Kupën, e kemi marrë pas 20-viteve që Vllaznia nuk kishte marrë Kupë në 1945-1946. Ne e kemi marrë në 1965 dhe kemi kaluar këtu në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” me 120 minuta lojë dhe fati unë prita tre penallti. Pastaj, në finale kemi shkuar në Tiranë dhe Selami Dani shënoi golin dhe morëm Kupën e parë. Ishte kënaqësia më e madhe për këtë popull. Pastaj, vjen për këtë sportdashës si të them, që nuk e ka askush. Me atë fukarrallëk ose me atë pozicion që ka pasur Shqipëria, këtu ka qenë tifozllëku më i madh se askund, as që diskutohet. Ne na kanë mbajtur gjallë ata.

Në një ndeshje finale të Kupës, më ishte mbushur mendja dhe i them Ramazan Rragamit do të pres, por kisha hallin të gjuante ai lirshëm. Ishte lojtar i madh. E doja që ai mos ta humbte. Unë u mundova dhe e ndihmova në penalltinë e tretë si me thënë. E bëri penalltinë e tretë dhe ai e vazhdoi. Unë flas tani me ty dhe po më rrënqethet trupi. Eshtë një gjë e paharruar. As nuk harrohet gjithë jetën.

Unë kam mendimin se ne do ta marrim Kupën. Kam mendimin unë se do ta marrim Kupën dhe këtu ka rol edhe Josa. Me që është trajner me eksperiencë mendoj se, ky do të bëjnë më të mirën dhe ka aftësi për ta bërë atë punë. Problemi është për t’i bindur futbollistët dhe taktikisht që Josa është absolut për atë punë. Eshtë një ndër trajnerët më të mirë të Shqipërisë. Kështu që, ai besoj ka për të qenë kryesor. Ia di vlerën ekipit tonë, pavarësisht se e ka stërvitur ekipin vetëm kohët e fundit, nuk do të thotë gjë ajo punë, por e njeh skuadrën dhe e ka parë. Edhe për një ndeshje, ai bën atë punën e tij. Josa është tamam adapt për këtë ndeshje.

Kur ngre një Kupë me fanellën e Vllaznisë, domethënë që ndihesh më i lumturi në gjithë Shqipërinë. Një kënaqësi, sepse klubi e ka emrin e madh shumë. Ne na kujtohen futbollistët më përpara, që kanë qenë lojtarë të mirë. Ne p.sh brezi jonë mban mend p.sh Loro Boriçin, që ka luajtur. E mbaj pak mend, por Loro Boriçin, Muhamet Dibrën dhe shumë futbollistë të tjerë me rradhë. Ka pasur edhe periudha që ne kemi qenë edhe në 1962-1963 në periudha jo të mira, por pastaj grupi që kemi ardhur në 1964 e prapa, ka qenë një 10-vjeçar një kryevepër.

Eshtë kënaqësi. Jo kënaqësi, por nuk përshkruhet. Unë nuk kam fjetur atë natë. Gjithë natën, më ka ardhur gjithë tifozëria duke më bërtitur në shtëpi. Ashtu si mua, edhe shokëve të mi pjesë-pjesë. Si ta harrojmë? Kurrë. Vllaznia e meriton, Vllaznia është djepi i futbollit shqiptar. Unë kam nostalgji, unë kam gjakun prej këtu krejt. Unë nuk kam bërë asnjë punë, vetëm me sportin. Unë prej portier në trajner. Nuk kam bërë asnjë lloj pune tjetër. Kështu që, jam brenda në zemër të Vllaznisë.

I ftoj kush ka mundësi të shkojë në Tiranë, i ftoj të gjithë. Eshtë një mbështetje, që futbollistët në fushë kanë nevojë. Nuk ka nevojë të them më tepër. Ne i pamë Romën me Feyenoord dhe patë tifozët e të dy krahëve. Influencojnë sa të duash. Mbështetja është gjë e madhe për futbollistin. Mbështetja është shumë e rëndësishme për ekipin”,-mbylli prononcimin e tij, legjenda e portës së Vllaznisë, Paulin Ndoja.
Maringlen ZHIVANI