Sukseset e Vllaznisë në futboll për femra kanë shtyrë kompaninë “Rokit” që të mendojnë për të sponsporizuar tek ekipi shkodran. Ata pasi panë sukseset e arritura të ekipit shkodran, vendosën që t’i bashkohen klubit të futbollit të femra Vllaznia, me kontributin e tyre sponsorizues.

Përfaqësuesi i kompanisë “Rokit”, Endri Puka, ka dhënë një intervistë për “Shkodra Sport”, ku u shpreh se Vllaznia ishte një zgjidhje e lehtë dhe e menjëhershme për ta, ndërsa theksoi se ky ekip do të jetë për vite të gjata një kundërshtar i fortë i skuadrave të elitës botërore të futbollit të femrave.

Poashtu, ndër të tjera, Puka shpreson që “Rokit” të sjellë fat për Vllazninë, duke nisur që nga ndeshja e rradhës në grupet e Champions League ndaj PSG në Francë, përballje kjo që do të luhet të mërkurën.

“Vllaznia ishte një surprizë për ne që doli në grupet e Champions League, duke u ndeshur me ekipet që janë të nivelit më të lartë të mundshëm botëror, siç ishin PSG, Çelsi apo edhe Real Madrid. Ishte një nga synimet tona të përfshiheshim në një ekip që na përfaqëson ndërkombëtarisht dhe Vllaznia ishte ndër të paktat ose e vetmja në Shqipëri që e plotësonte një gjë të tillë.

Prandaj, Vllaznia ishte një zgjedhje e lehtë për ne, sepse ne mendojmë që me këtë ekip dhe me këtë moshë të re që ka dhe me këtë nivel futbollistik që ka, do të jetë për vite të gjata një kundërshtar i fortë i ekipeve të elitës të futbollit të femrave botëror.

Ne jemi të sigurtë që emri i Rokit do të jetë një vlerë e shtuar për Vllazninë, por edhe për ne do të jetë një vlerë e shtuar gjithashtu, pasi tashmë Rokit do të njihet në të gjithë Shqipërinë, por edhe në vendet e tjera që do të jetë Vllaznia, duke qenë pjesë e grupeve të Champions League.

Kam qenë edhe herë të tjera në Shkodër dhe mikëpritja ka qenë spektakolare gjithmonë. Do jemi të fituar nga ky bashkëpunim dhe Rokit po shikon edhe mundësinë e disa investimeve të tjera në Shqipëri.

Ne do dëshirojmë të ndërtojmë në Shqipëri fabrikën më të madhe të biçikletave elektrike dhe shpresojmë që këto të bëhen realitet dhe Rokit të jetë jo thjesht si sponsor, por edhe kontribues sadopak në nivelin ekonomik të Shkodrës apo edhe të Shqipërisë.

Shpresojmë që emri i Rokit të sjellë fat për Vllazninë dhe shpresojmë të gjithë për një rezultat pozitiv dhe spektakolar për të gjithë në Paris ndaj PSG”,-mbylli prononcimin e tij, përfaqësuesi i kompanisë “Rokit”, Endri Puka.
Maringlen ZHIVANI