Shkruar nga Gjergj KOLA
Vllaznia U17 për vajza ka “dërrmuar” rivalen e saj kryesore, skuadrën e Partizanit, të cilën e ka mundur me shifrat 5-1 në sfidën e luajtur paraditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”. Një rezultat jo i zakontë ndoshta për dy ekipe që vinin në këtë përballje me pikë të barabarta, por vajzat shkodrane të drejtuara nga trajnerja Paula Jaku kanë treguar supermacinë e tyre në çdo drejtim.
Ndeshja ka nisur me gol për Vllazninë dhe që në minutën e 5-të ka qenë futbollistja Ecrin Ileri e cila ka kaluar në avantazh skuadrën e saj. Po kjo lojtare do të shënonte edhe golin e dytë pas pesë minutave të tjera dhe këtu u duk se ndeshja do të kontrollohej prej vendaseve.
Por Partizani nuk dëshironte të hiqte dorë kollaj nga pretendimet e tij dhe në minutën e 35-të ka arritur të ngushtojë shifrat me një gol shumë të bukur të shënuar nga Kokoshi nga një goditje dënimi. Megjithatë në fundin e kësaj pjese të parë, do të ishte futbollistja Megi Faslija që do të shënonte golin e tretë për ekipin shkodran me një gjuajtje nga jashtë zonë. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 3-1 për Vllaznia U17.
Në të dytën ndërkohë do të dilte në skenë sulmuesja Aldisa Kronaj e cila do të shënonte dy gola njëri pas tjetrit dhe në këtë mënyrë ajo ka kompletuar këtë fitore të thellë të ekipit të saj. Një sukses mëse i merituar në ndeshjen e fundit të fazës së dytë të kampionatit.
Vllaznia U17 në këtë mënyrë e mbyll kampionatin e rregullt me 28 pikë, pas 9 fitoreve dhe 1 barazim ndërkohë që fjala humbje për këtë ekip nuk ekziston. Edhe golaverazhi i saj është fantastik, me 63 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar. Nga rradhët e ekipit shkodran është edhe golashënuesja më e mirë ee kampionatit që është Ecrin Ileri me 20 gola, ndërsa në vend të dytë është një tjetër futbolliste e Vllaznisë, Aldisa Kronaj me 10 gola.
Ekipi shkodran si i pari i grupit A, pret tashmë të mësojë emrin e kundërshtarit në gjysmëfinalen e kampionatit. Por pavarësisht emrit të tij, kuptohet që objektivi i tij është të mbrojë titullin dhe të shpallet kampion i Shqipërisë edhe këtë sezon.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


