Nëse ka rast që duhet evidentuar, padyshim që ai i Vildan Tufit është për ta vënë “në krye të vendit”. Një trajner që ka punuar për vite me rradhë me shumë pasion e sakrificë dhe madje vazhdon të punojë çdo ditë edhe pse është në moshën 74 vjeçare.

Gjatë viteve të karrierës së tij si trajner ka punuar me shumë e shumë sportistë, kampionë e rekordmenë. Por “qershia mbi tortë” duket se janë tre prej tyre, ata të cilët janë vlerësuar edhe me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

E nisim me kampionen e madhe dhe rekordmenen Vera Bregu, rekordet e së cilës në garat e kërcimeve janë edhe sot pas 30 vitesh të pathyera.

Për të vazhduar me Kampionin e Europës Izmir Smajlaj i cili është rritur edhe ai është rritur dhe ka shkuar në nivele të larta prej këtij trajneri.

E treta është një tjetër kampione e rekordmene e cila pak muaj më parë mori edhe ajo titullin “Mjeshtre e Madhe” nga presidenti Ilir Meta, pikërisht në nderimet që u bënë me rastin e 100 vjetorit të formimit të Klubit Vllaznia.

Dhe ajo që të çudit është se askush nuk është kujtuar që një titull të tillë e meriton edhe trajneri që i ka stërvitur këta “Mjeshtra të Mëdhenj”, pikërisht profesor Vildan Tufi.

Vetë ai në një ceremoni të zhvilluar në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” për nderimin e atletëve dhe trajnerëve më të mirë të Vllaznisë, ia pat kujtuar një “harresë” të tillë këshilltarit të Presidentit, Leondard Tases dhe prej tij mori premtimin se nderimet për 100 vjetorin e Vllaznisë ende nuk kanë përfunduar.

Në fakt “viti i shekullit të Vllaznisë” po shkon drejt fundit dhe askush nuk po kujtohet për të tjera nderime. Rrjedhimisht edhe profesor Vildan Tufi vazhdon të presë. Normalisht nuk është se një titull i tillë “e bën rehat” atë, por thjesht e bën të ndihet mirë dhe i vlerësuar për atë kontribut që ka dhënë për këtë sport.
© shkodrasport.com