Start me fitore në fazën e dytë të kampionatit për ekipin e futbollit të femrave “Juban Danja”. Në takimin e javës së
parë të kësaj faze, ai ka fituar me rezultatin 7-3 ndaj Kinostudios.

Kjo përballje është luajtur pasditen e sotme në fushën sportive të kompleksit “Zmijani” dhe në fakt ka dhuruar jo pak
emocione. Ndeshja nisi me gol për vendaset që kaluan në avantazh me anë të kapitenes Klaudia Rrotani që në minutën e
9-të.

Por shtatë minuta më vonë, Nuho do të barazonte rezultatin për Kinostudion por gëzimi i futbollisteve të saj zgjati
vetëm 120 sekonda sepse Anela Vishkulli do të shënonte golin e dytë për “Juban Danja”. Megjithatë kapitenia e ekipit
mik Cyme Lulaj në minutën e 30-të do të barazonte sërish.

Duket se do të kemi të bëjmë me një takim me shumë rivalitet megjithatë katër minuta para fundit të kësaj pjese,
Vishkulli do të shënonte sërish dhe pjesa e parë do të mbyllej 3-2 për ekipin vendas.

Kjo ndeshje dukej se ishte e Vishkullit sepse ajo do të shënonte edhe tre gola të tjerë njëri pas tjetrit në minutat
49. 59 dhe 75, ndërkohë që do të shënonte edhe Kinostudio golin e tretë me anë të Lulajt sërish në ’74.

Duket qartë se “Juban Danja” është më e vendosur për ta fituar ndeshjen dhe sidomos në pjesën e dytë ka dominuar
totalisht ndaj kundërshtarit. Rrotani në minutën e 76-të do të shënonte edhe golin e shtatë.

Me këtë fitore, “JUban Danja” vazhdon të jetë në vendin e tretë të renditjes me 22 pikë të grumbulluara dhe është vetëm 3 pikë larg Apolonisë që mban vendin e dytë dhe me të cilën do të jetë në konkurrencë deri në fund për këtë vend.
www.shkodrasport.com