Shkodran Mustafi u largua katër vite më parë nga Seria A, ku luajti një sezon me Sampdorian, por duket se shumë shpejt do të kthehet përsëri në elitën e futbollit italian.

Largimi i Arsen Venger, personit që e afroi te Arsenali duke paguar 40 milionë euro për të, duket se ka hapur skenarë të rinj për futbollistin.

Ai është një titullar fiks në radhët e kësaj skuadre, por pakkush në Angli e sheh mbrojtësin që fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë si një emër tek i cili mund të mbështetet e ardhmja e klubit.

Por nëse në Angli ka dyshime për të, në Itali Mustafit ia kanë ngulur sytë disa nga emrat më të njohur të Serisë A. “TMË” raporton se Juventus dhe Inter kanë gati ofertat në verë për të afruar qendërmbrojtësin,

për të cilin mendohet se do të ketë një ankand të mirëfilltë, duke filluar nga vlerësimi prej 20 milionë eurosh që i bëhet aktualisht kartonit të tij.

Sigurisht, kjo shifër mund të rritet ndjeshëm nëse Mustafi do të bëjë një paraqitje të mirë me Gjermaninë në Botëror. /vipsport/