Vllaznia ditën e sotme ka zhvilluar seancën e rradhës stërvitore para përgatitjeve ndaj Linfield. Ekipi shkodran pasditen e sotme ka qenë në fushë sportive të Golemit, ku përveç ushtrimeve të zakonshme ka pasur edhe një lojë brenda grupit. Ku me të vërtetë u panë disa gjëra interesante nga lojtarë të ndryshëm.

Por ajo që u vu re në seancën e sotme stërvitore ishte prania e Dritmir Becit. Futbollisti shkodran që mbylli sezonin e shkuar në rradhë e Skënderbeut ishte sot pjesë e seancës stërvitore të kuqebluve. Beci, që aktivizohet në rolin e qendër mbrojtësit me siguri do jetë afrimi i rradhës i Vllaznisë.

Pavarësisht se për këtë lajm ende nuk ka një konfirmim nga ana e klubit apo edhe e vetë lojtarit, prania e tij në stërvitje tregon që palët parimisht kanë rënë dakord për bashkëpunim mes tyre. Beci është një futbollisti i rritur dhe zhvilluar tek akademia Vllaznia dhe i takon brezit të famshëm të grup moshës 1995-96.

Në moshën 27 vjeçare sot ai ka pasur eksperienca të ndryshme në futbollin tonë me skuadra si Tërbuni në Superiore, Tomori, Burreli dhe Erzeni në Kategorinë e Parë dhe së fundmi Skënderbeu. E duket se destinacioni i rradhës për karrierën e shtatlartit do jetë ekipi i tij i zemrës dhe ai ku u rrit, Vllaznia.
Endri ÇINARI