Duhej të ishte ndryshe por ka rezultuar tjetër gjë. Pikërisht për ndeshjen e rradhës me Korabin, Vllaznia duket më e plotë se kurrë në organikë. Prej javësh ajo është duke vuajtur mungesën e disa titullarëve, herë për kartona dhe herë për dëmtime, ndërkohë që për ndeshjen më të lehtë të kampionatit, trajneri Cungu do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët.Themi kështu sepse edhe kapiteni Shtubina rikthehet nga skualifikimi me kartona teksa mungoi në ndeshjen e fundit me Flamurtarin ndërsa tashmë askush nuk ka plotësuar numrin tre të tyre. Nga ana tjetër, sa i takon dëmtimeve, edhe mesfushori Krymi i cili ka munguar në tre takimet e fundit, duket se i ka lënë pas problemet që ka patur dhe ka nisur stërvitjen me ekipin. Çka do të thotë se mund të jetë i gatshëm që për ndeshjen e së shtunës ndaj dibranëve. Megjithatë me shumë mundësi stafi teknik nuk do të nxitohet për ta aktivizuar dhe për ta bërë gati për ndeshjen tjetër, atë me Skënderbeun. Por fakti që thuajse të gjithë lojtarët janë të gatshëm për sfidën me Korabin, nuk do të thotë se trajneri Cungu të lërë pushim disa prej tyre. Në kampin shkodran nuk ka asnjë nënvlerësim për këtë takim dhe padyshim që do të aktivizohen më të mirët me qëllim marrjen e fitores.
© shkodrasport.com