Ëndërra e shumë brezave të volejbollit shkodran po shkon drejt konkretizimit këtë vit. Me shpalljen për herë të parë në historinë e Vllaznisë kampione e vendit. Mbase fati u ka takuar brezit aktual të volejbollistëve të drejtuar nga trajneri Kroqi, që të jenë ata kampionët. Dhe në fakt, drejt kësaj gjëje po shkohet. Fitimi i dy ndeshjeve të para ndaj Studentit, i ka dhënë epërsinë e duhur dhe njëkohësisht edhe qetësinë shkodranëve.

Të pyetur pas ndeshjes së djeshme nëse titullin do ta festojnë të premten në Tiranë, apo do ta lënë për të martën në Shkodër, ata me keqardhje shprehen se festa do të jetë pas dy ditësh në kryeqytet. “Do të ishte bukur të festonim titullin kampion në Shkodër por finaleve asnjëherë nuk u dihet dhe për këtë arsye, nuk kemi ndër mend të tolerojmë në ndeshjen e tretë në Tiranë. Besoj se do të kemi përkrahjen e shumë tifozëve në “Asllan Rusi” dhe në këtë mënyrë duam ta festojmë që atje  këtë ëndërr të kahershme të volejbollit shkodran”- ka thënë kapiteni Ditmir Rrashketa. Edhe një tjetër lojtar titullar, Nikolin Qafarena është i bindur se me ndeshjen e tretë do të mbyllet gjithçka. “Objektivi jonë është i qartë:të fitojmë të premten në Tiranë dhe të mos lëmë asgjë për ndeshjet e ardhshme. Jemi më të motivuar se kurrë për këtë gjë dhe besoj se do ia dalim. Ka ardhur momenti i Vllaznisë, i kemi të gjitha mundësitë për t’u shpallur kampionë”- është shprehur numri 12 i kuqebluve. Po kaq entuziast duket edhe liberoja i ekipit, Renato Kola. Në një prononcim për “SHKODRA SPORT”, shprehet: “E kërkojmë prej vitesh këtë titull kampion dhe më afër sesa tani nuk kemi qenë asnjëherë. Do të luftojmë fort edhe në ndeshjen e tretë dhe besoj se do të mbyllim gjithçka që në Tiranë”. Atmosfera duket inkandeshente. Të gjithë në Shkodër tashmë presin titullin kampion. Në tribunën e “Qazim Dervishit” pasditen e djeshme kanë qenë edhe emra të tillë si Ali Bushati, Viktor Jubani, Xhino Mjeda, Adrian Shiroka, Adrian Mikopli, Petrit Jukni të cilët për vite me rradhë janë munduar ta shpallin Vllazninë kampione por nuk ia kanë dalë. Fati mbase po i takon një tjetër lojtari të madh të këtij klubi, tashmë trajneri aktual i tij- Mark Kroqi. Që në sezonin e tij të parë në këtë detyrë, po shkon drejt një arritje historike. I lumtur për fitoren e djeshme, ai do të shprehej: “Ky publik meriton gjithçka dhe prandaj jemi më të motivuar se kurrë për ta fituar këtë titull kampion. Do të tentojmë ta bëjmë këtë gjë në Tiranë në mënyrë që të arrijmë këtë sukses historik dhe të shumëpritur”.

© shkodrasport.com