Pas miqësores të javës së kaluar, ekipet e volejbollit të femrave të Vllaznisë dhe Moraçës, janë ndeshur sërish në një tjetër miqësore. Përballja miqësore me ekipin malazez është zhvilluar pasditen e së mërkurës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe është fituar sërish nga shkodranet me rezultatin 3-1, ashtu si dhe herën e kaluar.

Ato kanë luajtur më mirë dhe e kanë merituar fitoren. Duhet thënë se takimi nisi më mirë për malazezet të cilat në setin e parë kanë udhëhequr në shumicën e kohës, por në fund Vllaznia ka arritur ta barazojë rezultatin disa herë dhe pastaj e ka mbyllur atë me rezultatin 27-25 në favorin e saj.

Në të dytin ka një epërsi më të madhe të vajzave kuqeblu që nuk e kanë të vështirë ta fitojnë edhe atë ndërkohë që në të tretin ka qenë ekipi Moraça që ka luajtur më mirë dhe ka fituar. Në të fundit, ndërkohë Vllaznia sërish dominon duke e fituar atë dhe krejt miqësoren me rezultatin 3-1.

Ky takim është kërkuar nga stafi teknik I ekipit shkodran për të parë dhe testuar edhe njëherë atë pikërisht në prag të një takim shumë të rëndësishëm që kanë për kampionat, atë ndaj Barleti Volej. Përballja me këtë kundërshtar direkt do të luhet ditën e shtunë në orën 16.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit.

Kjo ndeshje përcakton shumë gjëra sa I takon vendit të katërt të renditjes, vend ky që të çon në fazën e plej- ofit dhe të vazhdimësisë së garës për titullin kampion, prandaj dhe Vllaznia do të bëjë çmos për ta fituar atë. Skuadra është përforcuar me tre lojtaret e huaja të marra së fundi, por nëse braziliania Karioka e kolumbiania Perez po e justifikojnë aktivizimin e tyre me fanellën kuqeblu, serbja Joçiç ende nuk është në lartësinë e duhur por trajnerët Lisha e Kalaja besojnë tek aftësitë e saj dhe presin që ajo të jetë përcaktuese në ndeshjet e rëndësishme të kampionatit.
www.shkodrasport.com