Shkodranët janë qetësuar në një farë mase, kur kanë parë atë gol të Xhejmsit në “Niko Dovana”, që i hoqi dy pikë Teutës, rivales së tyre në garën e mbijetesës në elitën e futbollit shqiptar.

Kuqeblutë duhet t’i bëjnë një dhuratë sulmuesit të Skënderbeut, sepse me atë fitore Teuta do ta kalonte gjithë presionin te Vllaznia.

Distanca do të ngushtohej dhe pas javës së 26-të, përtej paragjykimeve, gjasat ishin që Vllaznia ta shihte veten në vend të parafundit, duke qenë se luan në fushën e Kukësit, ndërsa Teuta luan në fushën e Lushnjës.

Në një situatë të tillë, kuptohet qartë se çfarë presioni do të kishte te skuadra kuqeblu.

Por sërish gara është plotësisht e hapur. Edhe pse Vllaznia ka avantazhin e 4 pikëve, duhet të jetë shumë vigjilente, sepse një “rrëshqitje këmbe” dhe gjithçka komplikohet dhe koha e rikuperimit të pikëve nuk është e mjaftueshme.

Edhe në Kukës skuadra shkodrane duhet të luftojë fort për pikë.

Situata në fakt nuk është shumë e mirë për trajnerin Ernest Gjoka, pasi ka probleme me dëmtimet, ku më shumë shqetëson Gocaj, por edhe Krymi e Vucaj.

Për ndeshjen me Kukësin kthehet nga skualifikimi mesfushori Orelesi dhe Vllaznia duhet të bëjë atë që bëri fazën e parë në Kukës, kur arriti të merrte pikë./vipsport/