Ndeshja e tretë dhe e fundit gjysmëfinale e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Kamza Basket, do të zhvillohet në Shkodër. Tashmë nuk ka më dilema sepse kjo është vendosur. Ndonëse ishte në dyshim zhvillimi i saj në Shkodër, është gjendur një zgjidhje dhe ajo do realizohet. Ekipi i Kamzës dhe vetë Federata nuk kanë pranuar që ta shtyjnë ndeshjen për të dielën dhe i kanë vënë kusht ekipit të Vllaznisë për të gjetur një fushë tjetër për të luajtur të shtunën. Të gjendur përballë kësaj kërkese, shkodranët kanë negociuar me organizatorët e Memorialit të boksit dhe ata kanë rënë dakord që t’i spostojnë ndeshjet finale nga ora 17.00 siç ka qenë planifikuar, në orën 14.00. Kjo në mënyrë që të lirohet pallati i sportit për në orën 19.00 kur do të zhvillohet ndeshja e shumëpritur e play off-it të basketbollit. Ekipi i Vllaznisë vazhdon të stërvitet në Ulqin dhe do kthehet nga atje vetëm pasditen e nesërme, por tashmë me një risi: në krye të tij është edhe një trajner malazez që do të punojë bashkë me Gjeçajn për pjesën e mbetur të sezonit.
© shkodrasport.com